Demokratja Jorida Tabaku, pas fitimit të mandatit “kokë më kokë” me kolegun Ilir Alimehmeti, ka reaguar lidhur me këto zgjedhje e hyrjes së saj serish në Parlament.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Tabaku ka falenderuar çdokënd që e ka votuar dhe e ka mbështetur. Falenderime pati për stafin e numëruesve të votave si dhe të familjes së saj.
Ajo çfarë bie në sy, është se mes reshtash, Tabaku ka pasur dhe një mesazh për Kuvendin. Demokratja shkruan se këto zgjedhje nuk arritën një rotacion politik të shumëkërkuar nga Partia Demokratike, pasi sistemi, sipas saj është i tillë që prodhoi një garë të brendshme të padrejtë. Kësaj i referohet e faktit që ajo ishte prej ditësh “kokë më kokë” me votat përballë demokratit Alimehmeti, teksa të dy “luftonin” për të njëjtin mandat.
“Falenderime pa fund për këdo që më votoi, që më mbështeti dhe që ishte me mua në këtë sfidë të radhës, e cila për të thënë të drejtën nuk ishte aspak e lehtë.
Mirënjohje çdo demokrati që punoi, trokiti në çdo derë dhe më shoqëroi në çdo ecje e në takime që nisnin në agim dhe përfundonin në mbrëmje, duke bërë të mundur që sot të kem këtë mbështetje!
U jam pafund mirënjohëse të gjithë demokratëve; anëtarëve, aktivistëve, komisionerëve, numëruesve, drejtuesve lokalë. Për lodhjen, sakrificën dhe forcën e besimit! Ju jeni Partia Demokratike!
Së fundmi, falenderime nga zemra për familjen time; Saimirin dhe fëmijët, mamin, babin, Fisnikun dhe Lornën, si dhe familjen e madhe që ishte me mua deri në votën e fundit.
Fatkeqësisht nuk arritëm dot të sjellim rotacionin politik aq të nevojshëm për Shqipërinë, pasi ky sistem prodhoi edhe një garë të brendshme shpeshherë të padrejtë. Por përgëzime për të gjithë, veçanërisht për kolegun Alimehmeti, me të cilin ndamë sprintin e fundit të kësaj gare, për fushatën dhe mbi të gjitha, për qytetarinë”, shkruan Tabaku.
Nga votimi brenda vendit, Tabaku fitoi 19 025 vota, ndërsa nga diaspora 1 540 të tilla, duke dalë kështu si më e votuara. Nga ana tjetër, Alimehmeti nga brenda vendit fitoi 16 595 vota, ndërsa nga jashtë 1 530 vota.
/tvklan.al