Jemi ndalur në Vorë për problemin e qytetarit Osman Picari. Atij i lindi e drejta për pension në datën 25 Maj 2008, por duke qenë se i ishin djegur dokumentet ai iu drejtua gjykatës të provojë vitet dhe të plotësojë 35 vite punë.

Ai fitoi të drejtën e pensionit duke nisur nga viti 2008, por i gjithë procesi gjyqësor zgjati rreth 5 vjet dhe në këtë mënyrë ai shkoi të tërheqë pensionin pas kësaj kohe. Por në Postën e Vorës nuk iu dha shuma e plotë, edhe pse e kishte fituar me gjyq.

Kur shkova për të tërhequr pensionin ata më thanë se 2 vite kanë kaluar në thesarin e shtetit sepse nuk i ke tërhequr më përpara. Kaq ka ngel kjo punë. Ne morëm aq sa na dhanë dhe tjetrën nuk e ndoqëm më mbrapa. Nga kjo më humbën rreth 3 milionë lekë. Mua s’më duket e drejtë kjo, prandaj iu drejtova “Stop”-it“, tha Picari.

“Stop” u drejtua në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, ku gazetarja takoi kryetaren e degës juridike, Monika Shehaj.

Zonja Shehaj shpjegoi se afati i parashikuar në ligj për tërheqjen e pensionit të prapambetur është deri në 3 vjet dhe kjo e ka penalizuar zotërinë, që nuk i ka marrë të plota shpërblimet e viteve të punës së tij.

Saimir Kodra: Pra, vërtet paska një ligj absurd që po nuk u paraqite të marrësh pensionin 5 vjet, 2 vjet të digjen dhe merr vetëm 3 vjetshin e fundit.

Gantian Zenelaj: Pensioni që të takon ty me të drejtën e Zotit, sepse e ke paguar gjithë jetën.

Saimir Kodra: Po, po. Ndërkohë që ka një vendim gjykate Osmani, që nga kjo datë deri në këtë datë të marrë pensionin. /tvklan.al