Luzitanët mundin Bosnjën 3-0 në shtëpi, Norvegjia e Haaland mposhtet në Oslo nga Skocia
Bernardo Silva dhe Bruno Fernandes shënuan me Portugalinë që mori një fitore të lehtë 3-0 kundër Bosnjës dhe Hercegovinës. Edin Xheko humbi një mundësi të artë në pjesën e parë për të kaluar ballkanasit në avantazh, ndërsa më pas Sivla shënoi golin e parë për luzitanët. Në vazhdim, Fernandes realizoi dopietë.
Portugalia shkon në kuotën e nëntë pikëve në Grupin J, ndërsa më herët ka mposhtur Lihtenshtejnin dhe Luksemburgun. Ekipi i Martinez, ka shënuar 13 gola e nuk ka pësuar asnjë në këto kualifikuese.
Në takimet e tjera të grupit, Sllovakia mundi Islandën në transfertë 2-1, ndërsa Luksemburgu fitoi në shtëpi 2-0 kundër Lihtenshtejnit. Në Grupin A, Norvegjia edhe pse me Erling Haaland në fushë, u mposht në Oslo nga Skocia 1-2.
Sulmuesi i Sitit realizoi gol, por për miqtë shënuan Dikis dhe Meklin. Në përballjen tjetër, Gjeorgjia mundi Qipron 2-1 në transfertë.
Në Grupin F Belgjika dhe Austria barzian 1-1, ashtu si edhe Azerbajxhani kundër Estonisë. Edhe në Grupin G sfidat Lituani-Bullgari dhe Mali I Zi-Hungari përfunduan në barazim.
Klan News