E djathta ekstreme shënoi fitore të madhe në Gjermani, Francë dhe Austri në zgjedhjet për Parlamentin e BE-së të dielën. Këtë e treguan sondazhet e opinionit, që duke i bashkuar me rezultatet e Holandës shfaqin shenjat e para se në Parlamentin Europian po ndodh një ndryshim i pritshëm djathtas.
Alternativa për Gjermaninë, parti e ekstremit të djathtë, zuri vendin e dytë pas konservatorëve të opozitës me 16.5% të votave, nga 11% në vitin 2019. Të tre partitë në koalicionin e kancelarit gjerman Olaf Scholz pësuan humbje, sipas sondazheve. Socialdemokratët e Scholz pritet të fitojnë 14% të votave.
Tejkalon çdo parashikim e djathta ekstreme në Francë. Sondazhet treguan se partia “Tubimi Kombëtar” e udhëhequr nga Marine Le Pen, doli në krye me më shumë se 30% të votave.
Asnjëherë më parë kjo parti nuk ka arritur të marrë kaq shumë vota. Partia Rilindja e presidentit Macron, doli e dyta me 15.2%. Socialistët, të tretët me 14%. I menjëhershëm ishte reagimi i presidentit Macron, i cili njoftoi shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja më 30 Qershor dhe 7 Korrik.
Pozitat i konsolidoi partia e djathtë nacionaliste e kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila në këto zgjedhje gati 5-fishoi numrin e eurodeputetëve krahasuar me vitin e kaluar.
Në Austri, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë është fituese. Në Greqi, partia e kryeministrit Mitsotakis, kryeson me diferencë të madhe.
Edhe në Belgjikë, rezultatet e zgjedhjeve europarlamentare dhe fuqizimi i ekstremit të djathtë çoi në dorëheqjen me lot në sy të kryeministri Aleksander de Kroo.
Pavarësisht rritjes që ka pësuar ekstremi i djathtë në shumicën e vendeve të BE-së, Partia Popullore Europiane do të vazhdojë të jetë grupimi kryesor në parlamentin europian me 185 vende, 9 më shumë se legjislatura e kaluar.
Të dytët renditen socialistët me 137 mandate dhe në vend të tretë liberalët 80. Të dyja grupimet kanë reduktim të numrit të eurodeputetëve. Këto tri forca pritet të kenë shumicën me 402 vende për të drejtuar Komisionin e ri Europian. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen festoi rezultatet e arritura pas publikimit të exit-polleve.
Tv Klan