Shqipëria U-16 fitoi pastër me rezultatin 3-0 ndaj San Marinos, në ndeshjen e dytë të turneut “UEFA Development”. Sukses i merituar për kuqezinjtë, që ishin dominues në fushën e “Shtëpisë së Futbollit”, me një paraqitje të shkëlqyer.

Shqipëria e nisi ndeshjen shumë mirë dhe kaloi në avantazh pas 14 minutave lojë, falë një goli të shënuar nga Zekaj. Ky i fundit ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi, duke e ndalur topin në rrjetë.

Pavarësisht avantazhit, skuadra kuqezi nuk u ndal, por vazhdoi të ushtronte presion në zonën e San Marinos. Në minutën e 30-të, Egzon Kajbe dyfishoi shifrat pas një gabimi të mbrojtjes kundërshtare, duke e dërguar rezultatin në 2-0. Pak minuta para përfundimit të 45 minutave të para, kapiteni Zekaj realizoi edhe golin e tretë për Shqipërinë, për të kompletuar dopietën personale.

Ky rezultat nuk ndryshoi në pjesën e dytë të takimit, pavarësisht përpjekjeve të skuadrave.

Në ndeshjen e paradites të luajtur në “Shtëpinë e Futbollit”, Kosova mundi Andorrën me rezultatin 2-1. Sfidat e treta të këtij turneu do të luhen më 25 Prill në “Shtëpinë e Futbollit”. Shqipëria do të përballet me Kosovën në takimin e fundit në ora 15:00, ndërsa takimi i orës 11:30 do të jetë ai mes San Marino – Andorra. /tvklan.al