Dëmtimet vazhdojnë të shtohen tek Interi. Pas fitores 3-2 me përmbysje ndaj Monzës, në infermieri ka përfunduar një tjetër futbollist.

Bëhet fjalë për Piotr Zielinski. Polaku u aktivizua në minutën e 70-të, por u dëmtua pas vetëm 3 minutave lojë, duke u larguar nga fusha.

Pas ndeshjes, mesfushori u pa të largohej nga stadiumi me paterica, çka konfirmon se dëmtimi është i rëndë dhe pritet ta lërë jashtë për një kohë të gjatë.

Shqetësime shfaqi edhe sulmuesi Lautaro Martinez. Argjentinasi kishte probleme në kofshën e majtë, por mediat italiane bëjnë me dije se është thjesht një lodhje dhe lojtari do të jetë gati për takimin në mesjavë ndaj Feyenoord.

Ndaj holandezëve do të vazhdojnë të mungojnë për shkak dëmtimi, mbrojtësit e majtë, Dimarco dhe Zalewski.

/tvklan.al