Clippers likuidon pa probleme Minnesota, zhgënjen Dallas 

Surpriza të tjera në ndeshjet e sezonit të rregullt në NBA. Miami Heat mposhti në sekondat e fundit 109-107 Brooklyn Nets, një ndeshje me rivalitet dhe emocione deri në momentin e fundit. Humbja zbret ekipin e Nets në vendin e dytë të renditjes në Konferencën e Lindjes.

Adebayo realizoi 21 pikë e 15 rebound për Miami, duke i bërë të pavlefshme 30 pikët e Shamet për miqtë. Problem për Brooklyn është dëmtimi i Kevin Durant, që la fushën pas 4 minutash lojë, ku shënoi 8 pikë. Ylli i basketbollit amerikan rrezikon një tjetër ndalesë të gjatë.

Pa probleme fiton skuadra e Los Angeles Clippers, që mposhti 124-105 Minnesotan, sukses që mban kalifornianët në vendin e tretë në Perëndim. Të gjithë titullarët e Clippers realizuan mbi 13 pikë, ku George me 23 pikë ishte më i miri.

Skuadra kanadeze e Toronto Raptors mposhti 112-106 Oklahoma City Thunder, ndeshje ku diferencën e bëri Boucher me 31 pikë e 12 rebound. Zhgënjen Dallas, që në fushën e tij u mund 121-107 nga Sacramento Kings, ku shkëlqeu Fox me 30 pikë e 12 rebound.

Klan News