Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas fitores në zgjedhjet që u përsëritën të dielën në Rrogozhinë. Kreu i qeverisë thotë se skuadra e Partisë Socialiste meriton një bravo të madhe pasi nxorri mësimet e duhura nga gara e mëparshme.

“RROGOZHINA VETËM PËRPARA me Edison Memollajn dhe Partinë Socialiste. Pas rizgjedhjeve të djeshme në Rrogozhinë, kandidati ynë e thellon fitoren e 14 majit, ku doli përpara me 21 vota, me një avantazh spektakolar prej 1752 votash. Urime Edison dhe një bravo të madhe për të gjithë skuadrën tonë, e cila nxorri mësimin e duhur nga gara e mëparshme, duke u angazhuar dhe organizuar ende më mirë, për të dalë shumë më lart në zgjedhjen e djeshme pjesore”, shkruan Rama.

Kujtojmë që zgjedhjet në Rrogozhinë u fituan në të dyja herët nga Edison Memolla. Në zgjedhjet e 14 Majit fitoi me një diferencë prej 21 votash. Pas ankimimeve të opozitës Kolegji Zgjedhor vendosi që zgjedhjet të përsëriteshin më 23 Korrik. E nga votimet e djeshme ai fitoi me 1752 vota diferencë. Të dielën kishte po ashtu, prezencë më e madhe e votuesve me 35.5% nga 32.16% që kishin qenë në 14 Maj./tvklan.al