Fitorja që çliroi kuqezinjtë

Fitorja që çliroi kuqezinjtë

16:41 11/09/2019

Lojtarët dhe trajneri me mendje te Turqia

Fitorja me Islandën ishte në radhë të parë një çlirim për lojtarët e Kombëtares, të cilët ishin më të kritikuarit pas humbjes së thellë me Francën.  Në dhomat e zhveshjes festa ishte edhe më e shfrenuar.

Një fitore që erdhi pas ndryshimeve në formacion nga tekniku Reja. Vendosja në qendër të mbrojtjes e Dermakut dhe pozicionimi i Gjasulës në mesfushë i dhanë më shumë agresivitet skuadrës. Një nga lojtarët që bëri diferencën ishte i rikthyeri Ledian Memushaj, i cili dha krosat për golin e parë dhe të katërt.  

“Patëm shumë kritika dhe ishte e rëndësishme fitorja”, tha Ledian Memushaj,

Keidi Bare tha se ishim në një moment shumë të vështirë dhe besoj se na ngre moralin.”

Ndërsa Berat Gjimshiti tha se për moralin ishte e rëndësishme, “pastaj edhe për kualifikimin, sepse tani jemi 9 pikë.”

Mendja shkon te takimet e radhës me Turqinë dhe Moldavinë jashtë fushe që kanë peshë për kualifikueset e Europianit 2020. Trajneri Edy Reja dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi shpresojnë që të kenë rezultat në takimet e tetorit.

“Jemi disi në disavantazh me Islandën dhe Turqinë, por bëmë gjysmën e punës. E kemi si finale me Turqinë, atje nuk duhet të humbasim”, tha Cikalleshi.

“E rëndësishme ishte të fitonim dhe të ishim në lojë, nuk di si do të shkojë sepse me Turqinë dhe Moldavinë do të jetë e vështirë, të shikojmë si do të shkojë”, tha Reja.

Edy Reja ka edhe 1 muaj kohë për të menduar për sfidat e ardhshme që do të vendosin shumë për ecurinë e Shqipërisë në këto kualifikuese.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT