Mungesa e disa prej fituesve të primareve në listat e mbyllura të Partisë Demokratike, shkaktoi debate dhe pakënaqësi brenda kampit blu.
Emra të tillë si Jorida Tabaku, Dashnor Sula, Ilir Alimehmeti etj. u lanë jashtë listave të mbyllura të PD, apo siç konsiderohen vende të sigurta.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, deklaroi se për shkak të marrëveshjes me partitë aleate për të vendosur figurat e tyre në listën e sigurt, ishte e pamundur edhe vendosja e fituesve të primareve në PD.
“Primaret kanë qenë një nga shtyllat mbi të cilat është bazuar përzgjedhja e kandidatëve në listën e koalicionit. Në këtë listë nga 140 kandidatë për deputetë, 111 prej tyre janë të dalë nga primaret.
Në rastin e Tiranës ka një specifikë, ka një vendim të Këshillit Kombëtar që emëron drejtuesit politikë të qarqeve dhe të fushatës kombëtare. Ky ekip me vendim të Këshillit Kombëtar është i emëruar ekipi i drejtuesve politikë.
Nuk ka asnjë humbje PD nga përpilimi i listave. Është një detyrim jo thjesht i joni, por i një marrëveshje me aleatët që ka pamundësuar që disa nga personalitet e kësaj partie apo dhe fitues të primareve, të pamundësohen për të qenë në lista të mbyllura. Ne nuk jemi këtu për listat. Ne tani jemi përballë një situate të tillë: Ose do bashkohemi të gjithë të mundim Edi Ramën, ose Shqipëria është në rrezik”.
Sa i përket mospërfshirjes në asnjë listë të zëdhënëses së PD, Florjana Garo, Flamur Noka dha këtë përgjigje: “Zëdhënësja e PD është një nga figurat kryesore të kësaj partie. Unë personalisht kam vlerësim të jashtëzakonshëm për shkak se cilësitë e saj politike dhe njerëzore janë për t’u admiruar. Por duke qenë se znj.Garo në qarkun Durrës nuk arriti atë që pretendonte në primare, vendosi të mos përfshihej në këtë proces. Është zgjedhja e saj”.
/tvklan.al