Fjalimi nga burgu i Nargës Mohhammadi-t lexohet gjatë ceremonisë së marrjes së çmimit në Oslo
Karrigia bosh dhe mungesa e Narges Mohammadi-t në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për Paqe nuk e pengoi fituesen e burgosur të mbajë një fjalim.
Populli iranian do ta mposhtë përfundimisht autoritarizmin e vendosur nga qeveria, të cilës i ka humbur ligjshmërinë dhe mbështetja popullore, tha në fjalimin e saj nga burgu fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, një fjalim që u lexua të dielën nga fëmijët e saj.
Komiteti norvegjez i Nobelit ia dha çmimin Mohammadit në Tetor, për luftën e saj të padhunshme “kundër shtypjes së grave në Iran” dhe për nxitjen e të drejtave të njeriut.
Binjakët e saj 17 vjeç, Kiana dhe Ali Rahmani, e pranuan çmimin, një medalje ari dhe një diplomë, gjatë një ceremonie në Oslo të Norvegjisë, ku morën pjesë disa qindra të ftuar të tjerë. Çmimi përfshin edhe një shpërblim monetar prej rreth 1 milion Dollarësh.
Në fjalimin e saj, të cilin e dërgoi nga burgu famëkeq iranian, Evin, Mohammadi tha se rezistenca e vazhdueshme dhe mospërdorimi i dhunës janë strategjitë më të mira për të sjellë ndryshim.
“Populli iranian, me këmbëngulje, do ta mposhtë autoritarizmin dhe shtypjen. Mos kini dyshime, kjo është e sigurt”, tha ajo përmes zërit të të bijës. “Po e shkruaj këtë mesazh brenda mureve të larta dhe të ftohta të burgut”, tha Mohammadi, duke shtuar se ajo dhe shumë aktivistë të tjerë në Iran po luftojnë vazhdimisht për “të mbetur gjallë”.
“Shtypja e shtuar e grave përmes detyrimit për t’u mbuluar me hixhab, një politikë e turpshme kjo e qeverisë, nuk do të na detyrojë të ulim kokën sepse besojmë se hixhabi i detyrueshëm nuk është as detyrim fetar dhe një traditë kulturore, por një mjet kontrolli për të nënshtruar të gjithë shoqërinë . . . . Realiteti është se regjimi i Republikës Islamike është në nivelin më të ulët të legjitimitetit dhe mbështetjes popullore”.
Mohammadi e fitoi çmimin Nobel rreth një vit pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin e policisë iraniane të moralit, e cila ishte arrestuar se gjoja nuk e kishte veshur si duhet shaminë e kokës, apo hixhabin.
Gratë iraniane u kanë prirë protestave gjithëkombëtare, të cilat u nxitën nga vdekja e Aminit në shtator 2022.
Klan News