Për problemin e maturantes Dajana Suci, emisioni “Stop” u takua në Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar Durrës me drejtoreshën e Kurrikulave, Matilda Leka.

Ajo tha, se kjo zyrë nuk kishte dijeni, për situatën, që Dajana ishte e interesuar të bënte fizikë. Gjithçka mund të bëjë tani, është të shprehë keqardhjen, që vajza me rezultate të shkëlqyera, nuk mund të studiojë mjekësi.

“Është një shkollë e vogël. Ka vetëm dy paralele me 41, 42 nxënës, të cilët kanë përfunduar studimet e këtij viti në gjimnaz. Me atë që po më tregoni tani, të them të drejtën duke parë edhe rezultatet e vajzës po më vinka shumë keq. Nuk dua të mbaj anën e askujt tani. Nga shkolla nuk na ka ardhur asnjë kërkesë deri më tani që vajza kërkonte të bënte fizikën. Nuk dimë çfarë të themi, as nga vajza vetë dhe as nga shkolla nuk na ka ardhur. Më vjen me të vërtetë keq me këto nota që vajza ka marrë. Ndoshta nëse do ishin treguar më të kujdesshëm në kurrikulën me zgjedhje, atëherë edhe ky rast nuk do kishte ndodhur”, tha Leka

Eksperti Albano Zhapaj tha, se nëse në formulë, nuk do të llogaritej fizika e munguar me notën 4, por me një koeficent tjetër të ulët, Dajana nuk do të penalizohej.

“Mangësinë e parë e ka gjimnazi. Mangësia e dytë vjen si pasojë e formulës që ka ngritur universiteti sepse kjo formulë e konsideron automatikisht nxënëse mbetëse sikur ka marrë notën katër. Për këtë arsye e llogarit me një koeficent më të ulët seç ajo lëndë e ka për atë shkollë. Kjo gocë ka humbur sepse një hipotezë që unë ngre, në rast se në vitin e tretë nuk do ia kishin 4, ose me një hamendësim sikur ta kishte 7.5 ose 8, të mos arrinte dot të merrte 10, prapë edhe me koeficentin e ulët, kjo do të ishte fituese në programet e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës. Por ia llogarisin 4. Ky është një problem që e ka dhe formula. Kjo vajzë duhet të ishte studente e fakultetit të mjekësisë”, tha Zhapaj. /tvklan.al