Emisioni “Opinion” mbrëmjen e sotme u titullua “Fjalëkryqi i presidentit”, pasi paraditen e sotme ka dështuar dhe raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Aktualisht jemi në prag të raundit të tretë, i cili pritet të zhvillohet gjatë kësaj jave, pasi sipas Kushtetutës nuk mund të zhvillohet pas ditës së diel.

Raundi i tretë detyron palët ta zgjehdin presidentin me 3/5 e votave, pra me 84 vota. Pas kësaj, brenda një jave do të kalojmë në raundin e katërt, sipas të cilit, presidenti mund të zgjidhet me 71 vota.

Mbrëmjen e djeshme është zhvilluar një takim i rëndësishëm mes kreut të PS, Edi Rama dhe kreut të PD, Sali Berisha, i cili duket se ka kaluar në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, por pa asnjë rezultat.

Nuk ka patur asnjë lëvizje të palëve nga pozicionet e tyre, veç shprehjes së përsëritur të vullnetit të të dyja palëve për të gjetur një president sa më të pranueshëm dhe një zgjidhje sa më të mirë për Shqipërinë.

Për të diskutuar mbi ngërçin e krijuar për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë në emisionin “Opinion” ishin të ftuar Sonila Meço, Andi Bejtja, Fahri Balliu, Mentor Nazarko, Preç Zogaj dhe Andi Tela./tvklan.al