Rovena Rojba është një interpretuese e e gjuhës së shenjave, e cila prej çdo të enjte përcjell me anë të shenjave të gjitha informacionet që të transmetohen në edicionin e lajme të Tv Klan.
Ajo tregon se gjuhën e shenjave e mësoi për të komunikuar me vëllain e saj, i cili pas një incidenti ka humbur dëgjimin që në moshën 2-vjeçare.
Flori, vëllai i saj, në emisionin “Rudina” surprizoi me një video-mesazh shumë prekës Rovena Rojbën. Fjalët e zemrës ai i përcolli në gjuhën e shenjave, duke shprehur dashurinë dhe mirënjohjen, për motrën, shoqen dhe përkrahjen më të madhe të tij.
“Rovena motra dhe shoqja ime e ngushtë! Me anë të këtij mesazhi dua të të falenderoj dhe njëherësh të të shpreh mirënjohjen time. Ty t’u desh që të rriteshe dhe të bëje detyrën dyfish si motër me e madhe. Ke qenë aty për të luajtur me mua dhe për të më mbështetur kundrejt botës, bullizimeve dhe etiketimeve të shumta. Ishte aty për të ma bërë botën më të lehtë. Dora jote ka qenë çdo herë forcë për mua. Të dua shumë”, u shpreh në gjuhën e shenjave Flori./tvklan.al