Në fjalën e tij të fitores, kryeministri Edi Rama tha se kjo ishte hera e parë që fitonte pa prezencën e njeriut të tij më të dashur, nënës së tij Aneta Rama.

“Mos e harroni kurrë, asnjëherë më tutje, se kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të 4 viteve që kemi përpara. Është një fitore e madhe dhe e bukur që duhet ta meritojmë duke e bërë natën ditë me punë të palodhur për Shqipërinë dhe me përkushtim të paepur për shqiptarët, kudo ku janë, me përulësi dhe respekt ndaj kujtdo pavarësisht se për kë ka votuar apo për çfarëdo arsye që nuk ka votuar. Kjo është fitorja ime e parë në mungesën e dikujt që më ka ndenjur pranë, më ka ndjekur si hije me dashurinë pa kushte dhe me përkujdesjen e paepur. Dikush që më mungon tmerrësisht sot mes jush dhe që shpresoj se tani po më sheh nga atje lart, nëna ime Aneta. Uroj që ajo të jetë krenare për mua dhe mirënjohëse pafund për ju të gjithë që për kaq shumë vite më besuat pa u lëkundur, më ndoqët pa u lodhur, më mbështetët pa pushuar dhe sot sëbashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve më dhatë privilegjin e jashtëzakonshëm  që t’ju udhëheq edhe për 4 vite të tjera drejt majës ku do të vazhdojmë të ngjitemi me bekimin bujar të popullit sovran të Shqipërisë”, tha Rama./tvklan.al