Eliot Engel, një prej miqve më të mëdhenj të shqiptarëve dhe mbështetës i fuqishëm i çështjes së Kosovës do të largohet nga Kongresi amerikan pas më shumë se 32 vitesh anëtar i saj.

Këtë të shtunë ai ka mbajtur fjalimin e tij të fundit. Engel ka shprehur mirënjohjen për këtë pozitë të rëndësishme që ka mbajtur dhe tha se ka qenë nder i madh që të shërbente në atë rol.

“Nderi më i madh këtu ka qenë kur kam shërbyer në këtë Kongres si Kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme”, tha ai.

Në fjalimin e tij të fundit, Engel nuk la pa prekur Ballkanin dhe veçanërisht Kosovën për të cilat tha se kanë një vend të veçantë në zemrën e tij.

“Gjithmonë ka pasur një vend special në zemrën time për Ballkanin dhe posaçërisht Kosovën. Në 1999-ën, mbështeta administratën Klinton për ndërhyrjen në Ballkan. E dimë me siguri se ajo ndërhyrje ndaloi një gjenocid. Që prej asaj kohe kam qenë një kampon për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ai vend ka bërë hapa të jashtëzakonshëm dhe njihet nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Japonia dhe shumë kombe të tjera të rëndësishme”, tha Engel./tvklan.al