Prioritet, lufta kundër korrupsionit dhe Reforma në Drejtësi

Në të parën dalje publike pasi paraqiti mëngjesin e kësaj të hëne kredencialet e saj tek Presidenti i Republikës, Ambasadorja e re amerikane në Tiranë, Yuri Kim zgjodhi të thotë shqip se SHBA do të vazhdojnë të mbështesin vendin tonë, siç kanë bërë në 100 vite.

“Ne do të vazhdojmë të jemi me ju krah për krah”.

Kim shprehu padurimin për të nisur nga puna me drejtuesit e shtetit shqiptar për të luftuar në mënyrë të veçantë korrupsionin, por dhe për të çuar me tej reformën në sistemin e drejtësisë.

“Pres me kënaqësi të punoj më udhëheqësit e Shqipërisë ndërsa ata ndërmarrin hapa të vështirë, por absolutisht të nevojshëm për të zbatuar reformën në drejtësi, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe për të larguar korrupsionin nga sistemi shqiptar. Jam besimplotë që teksa drejtësia të hedh rrënjë më shumë investitorë të tërhiqen drejt Shqipërisë, për më shumë vende pune e mundësi. Nuk ka dyshime se SHBA e vlerëson Shqipërinë si aleatë partnere e mike të vërtetë. Jemi krah jush sot për të mbështetur të ardhmen tuaj si një vend demokrat i begatë”.

Diplomatja e re e SHBA bëri një historik të marrëdhënieve dy palëshe që nisën me mbrojtjen që i bëri Presidenti Wilson sovranitetit të vendit tonë në 1920. Yuri Kim do të drejtojë Ambasadën Amerikane në Tiranë për 3 vitet e ardhshme. Pas përfundimit të mandatit të Donald Lu në Korrik të 2018, kjo seli diplomatike u drejtua nga e ngarkuara me punë Leyla Moses-Ones, për shkak se Senati rrëzoi kandidaturën e Katherin Ann Kavalec.

Tv Klan