Një numër komentatorësh të televizioneve amerikane korrigjuan disa prej pohimeve të bëra nga Presidenti Trump në fjalimin e tij mbrëmë rreth murit të propozuar në kufi. Rrjetet e tyre televizive u bënë objekt i një debati të pazakontë nëse duhet ta kishin transmetuar ose jo fjalimin.

Është diçka e rrallë, por jo e pashembullt, që rrjetet televizive t’i thonë jo kërkesës së një presidenti për të transmetuar një fjalim të tij. Por, nëse ato do të refuzonin ta transmetonin fjalimin e parë të zotit Trump nga Zyra Ovale, ndërkohë që qeveria është pjesërisht e mbyllur për shkak të mosmarrëveshjeve për financimin e një muri kufitar, kjo do të shihej si akt provokimi.

Përfundimisht, të katër rrjetet e mëdha kabllore amerikane vendosën ta transmetojnë fjalimin, ndërkohë që dhanë edhe reagimet e opozitës në Kongres. Gjithashtu, rrjetet televizive komentuan disa deklarata të zotit Trump që sipas tyre shtrembëronin faktet ose ishin të zmadhuara.

Korrespondentja e televizionit Associated Press pranë Shtëpisë së Bardhë, Jill Colvin, tha se fjalimi përmbante një numër ekzagjerimesh dhe gabimesh faktike.

“Një nga pohimet e bëra nga Presidenti ishte se shumë prej njerëzve që hyjnë në vend nga kufiri jugor kanë të kaluar kriminale. Në fakt, studimet kanë treguar se në fakt imigrantët kryejnë më pak krime se sa njerëzit e lindur në Amerikë.”

Rrjeti CNN dhe NBC thanë se Presidenti në mënyrë të rreme pohoi se ishin demokratët ata që kishin hedhur idenë e ngritjes së një barriere prej çeliku në vend të një muri në kufi.

Komentatori i njohur i rrjetit Fox News, Sean Hannity ndërkaq kritikoi përgjigjen e opozitës demokrate ndaj fjalimit, duke thënë se kundërshtarët e zotit Trump nuk përmendën krimet e kryera nga imigrantët pa dokumente, një argument që presidenti u përpoq ta theksonte në fjalimin e tij.

Komentatorit të njohur iu bashkua edhe senatori Lindsey Graham, i cili tha se qëndrimi i zotit Trump përfaqëson shansin më të mirë për të përmirësuar sigurinë e kufirit.

Asnjë nga rrjetet e mëdha televizive nuk përdori titra ose tekst në ekran, për të hedhur poshtë deklaratat e zotit Trump, kur ai ishte duke folur. Por rrjetet CNN dhe MSNBC përdorën formatin e krahasimit të deklaratave me faktet pasi presidenti kishte mbaruar fjalimin./VOA