Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance u largua që mbrëmjen e së premtes nga Myihu, por fjalimi i tij në Konferencën e Sigurisë la pas polemika të shumta. Kritikat e tij ndaj liderëve europianë se demokracia dhe liria e fjalës janë në rënie kanë shkaktuar reagime të forta.

I menjëherëshëm ishte qëndrimi i kancelarit gjerman Olaf Scholz që tha se mbetet i palëkundur kundër ekstremit të djathtë dhe se demokracia e vendit të tij nuk do të lejojë ndërhyrje nga jashtë.

“Gjermania është një demokraci shumë e fortë dhe si një demokraci e fortë, ne jemi absolutisht të qartë se e djathta ekstreme duhet të jetë jashtë kontrollit politik dhe jashtë proceseve të vendimmarrjes politike dhe se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me ta”.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius ishte edhe më i ashpër kur e quajti fjalimin e Vance të papranueshëm.

“Ai foli për anulimin e demokracisë dhe nëse e kuptova saktë, ai krahasoi kushtet në pjesë të Evropës me ato në regjimet autoritare. Zonja dhe zotërinj, kjo është e papranueshme”.

Gjatë qëndrimit në Mynih, Vance nuk e takoi kancelarin Sholz ndërsa priti ndarazi lideren AFD-së, Alis Veidel, të ekstremit të djathtë dhe kreun e CDU në opozitë Fridrih Merc. 

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas tha se fjalimi i Vance i krijoi përshtypjen se SHBA ishte “duke u përpjekur të nxiste konflikt”. Ndërsa ministri i Jashtëm i Francës Zhan Noel Barro tha se liria e shprehjes është e garantuar në Evropë.

“Askush nuk është i detyruar të miratojë modelin tonë, por askush nuk mund të na imponojë të tyren” –tha ministri francez.

Deklaratat e Vance i përkrahu Donald Trump nga zyra ovale që tha evropianët po humbasin lirinë e fjalës. Duartrokitje për të pati edhe në Moskë ku mediat shtetërore e quajtën një “rrahje publike”.

Tv Klan