Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandër Vulin, ka reaguar pas fjalimit në shqip të deputetit, Shuaip Kamberi. Vulin në një fjalim në Kuvendin e Serbisë, ka thënë se ka pritur me padurim që t’ia thoshte në sy të gjitha ato që mendonte deputetit Kamberi. Vulin gjatë fjalimit të tij vazhdimisht e ka përdorur termin fyes ndaj shqiptarëve ‘Shiptari”.

“Me durim e kam pritur që të vij, t’ia them në fytyrë, siç i ka hije deputetit popullor, atë çfarë kam për t’i thënë. S’ka ardhur por unë nuk do ta lëshojë rastin ta them atë çfarë mendoj, unë kam qenë dhe kam pritur këtu tërë ditën që të vijë.

Secili ka të drejtë të flasë në gjuhën e tij, unë jam pafund krenar për atë se gjithkush ka të flasë në gjuhën e tij dhe pavarësisht që serbët në “Allbani” apo Shqipëri, siç e thonë ata, nuk kanë asnjë deputet dhe as që mund të flasin në parlament, unë këtë të drejtë të vendasve të mi “shqiptari” kurrë nuk do t’ju mohoja në parlamentin tim. Kurrë!”, është shprehur ministri.

Po ashtu gjatë fjalimit të tij e krahasoi deputetin Kamberi me Esap Pash Toptanin, që sipas tij është një shqiptar ideal.

Unë Kamberin nuk do ta krahashoj me Shaban Polluzhën, udhëheqësin e Ballit Kombëtar, ballistin, bashkëpunëtorin e gjermanëve natyrisht, vrasësin… nuk do ta krahasoj më atë. Më vjen keq që kurrë publikisht nuk e ka dënuar, por…ja unë po mendoj se e ka dënuar publikisht dhe ai le të thotë nëse nuk kam të drejtë.

Pra nuk e krahasoj me fashistin shqiptar, unë dua ta krahasoj me Esat Pashë Toptanin, “shiptari” i cili ka dashur të bëjë federatë me Serbinë, shqiptari i cili dëshironte që këta dy popuj, shqiptarët dhe serbët të ishin aleatët më të afërt në Ballkan”, shtoi me tej ai.

Reagimi i Vulin vjen pak ditë pas fjalimit në shqip të deputetit Shuaip Kamberi. Deputeti shqiptar në parlamentin serb ka zgjedhur që këtë herë të mbante një fjalim në shqip, i cili ka sjellë shumë reagime kundër tij./tvklan.al