Deputeti demokrat Flamur Noka i kërkon kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha që të bëjë kujdes në artikulimin që përdor kundër ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe bazës së anëtarësisë.

Duke folur për gazetarët jashtë selisë blu, Flamur Noka u shpreh se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të mbahet kundër Lulzim Bashës dhe jo kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nuk mund të pretendojmë që të vazhdojmë me të ashtuquajturën rutinë, kur situata është e jashtëzakonshme në Partinë Demokratike, kur ngjarjet që kapin njëra-tjetrën janë të jashtëzakonshme dhe kur PD po lëngon si pasojë e një vendimi okult të marrë në mes të natës nga kryetari i partisë, individualisht dhe në shkelje të Kushtetutës së partisë dhe të vullnetit të anëtarësisë së Partisë Demokratike.

I bëra me dije faktin që kryetari duhet të kontrollojë artikulimin e tij sepse nuk mundet që lideri i opozitës të kapet pas të ashtuquajturës pro amerikanizëm dhe pastaj të sulmojë bazën e partisë si anti-amerikane. Ajo që i bëra me dije është që Kongresi i PD do të mblidhet, Kuvendi do të mblidhet dhe nuk mblidhet për të shqyrtuar asnjë vendim të SHBA, por ky Kuvend do të mblidhet kundër Lulzim Bashës, kundër kryetarit të Partisë Demokratrike i cili tashmë është minorancë, ilegjitimi. Duhet të ketë parasysh që nuk do të jetë kundër SHBA por kundër tij. Ka disa ditë që ka filluar një tur takimesh me drejtuesit e degëve duke i thirrur këtu për të mos hapur dyert për liderin historik të PD. Kjo nuk është thjesht e turpshme, kjo është e neveritshme. Ai e di shumë mirë që nuk përfaqëson shumicën e demokratëve”.

I pyetur nga gazetarët nëse qëndrimi që po mban kundër Lulzim Bashës mund ta penalizojë atë me përjashtim nga grupi, Flamur Noka u shpreh se nuk i druhet këtij vendimi. Sipas tij, ky debat nuk bëhet në rrafshin e interit personal të askujt, por për vlerat demokratike të partisë.

“Unë kam 30 vjet në këtë parti. Po të ishte për interesat e mia do isha mjek onkolog si kolegët e mi. Jam angazhuar në politikë për të kontribuar për vendin tim. Ajo që më dhemb sot më shumë se kushdo tjetër është fati i PD, fati i demokracisë në Shqipëri, sepse Lulzim Basha me atë vendim përçau Partinë Demokratike, i dha një goditje fatale kësaj force politike. Dhe i vetmi njeri që është sot i gëzuar nga kjo vendimmarrrje është Edi Rama. Ndaj nuk ka të bëjë me fatin e karrierës individuale të Flamur Nokës apo çdo individi. Këtu po shkohet drejt instalimit të një sistemi politik të modelit kinez, ku opozita emërohet dhe drejtohet dhe kontrollohet nga mazhoranca”.

Deputeti Noka shprehet se nuk do të ketë asnjë përçarje brenda partisë nisur nga debatet mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.

“Asnjë përplasje, asnjë përçarje s’do të ketë. Shumica absolute janë kundër vullnetit të shprehur të kryetarit të partisë. Prandaj e mori natën vendimin. Nisma, foltorja është ajo që po i bashkon demokratët”.

Një ditë më parë, Lulzim Basha tha se nuk do të lejojë asnjë mbledhje të Kuventi për të kundërshtuar qëndrimet e qeverisë amerikane. /tvklan.al