Fundi i sezonit po nxeh atmosferën e merkatos për futbollin shqiptar. Shumë prej futbollistëve janë nën kontratë, të tjerë presin 30 Qershorin kur zakonisht skadojnë marrëveshjet me klubet. Ekipi që pritet të preket më shumë nga eksodi është Flamurtari. Ka zëra se një pjesë e madhe e futbollistëve do të kërkojnë largimin pasi nuk kanë marrë pagat prej 9 muajsh. Dëshira e tyre për të luajtur në një klub me stabilitet financiar shtohet më tepër pas lajmeve se financuesit turq mund të tërhiqen dhe klubi do të jetë sërish nën administrimin e bashkisë së qytetit.

Në klubin e Kukësit të paktën dy futbollistë kanë shprehur dëshirën për të mos rinovuar. Reginaldo lajmëroi në rrjetet sociale se do të qendrojë dhe një muaj në ekip. Afrikanit i përfundon kontrata më 31 Maj. Sulmuesi ka patur konflikte me disa shokë të skuadrës, ndërkohë që kërkon edhe një rrogë më të lartë. Lojtari nga Mozambiku është kërkuar edhe nga skuadra të tjera të Superligës, por për shkak të karakterit të tij të paqëndrueshëm, ato janë tërhequr. Drejt largimit nga Kukësi duket William Cordeiro Melo. Braziliani 25-vjeçar me gjasë ka oferta të tjera më të volitshme për sezonin e ardhshëm.

Tv Klan