Për ngjarjen reagon edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kosova u trondit të dielën në mbrëmje nga vrasja makabre e një vajze 18-vjeçare e cila u dërgua e vdekur në emergjencën e Ferizajt. Marigona Osmani dyshohet se u vra nga Dardan Krivaqa, i cili është shpallur në kërkim. Për ngjarjen, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar Arbër Sejdiun, si bashkëpunëtor në krim.

Familjarët e së resë, në një prononcim për Klan Kosova jashtë kamerave, thanë se 18-vjeçarja kishte dy muaj që ishte e martuar me Dardan Krivaqën. Ata thanë po ashtu se Marigona ishte martuar pa pëlqimin e prindërve të saj.

18-vjeçarja, sipas autoriteteve, është dhunuar fizikisht dhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve. Megjithatë do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.

Pasi e dërguan trupin e pajetë të Marigonës në spital, Arbër Sejdiu dhe Dardan Krivaqa u larguan nga vendi i ngjarjes.

Vrasja e së resë ka sjellë mjaft reagime në Kosovë. Për rastin reagoi edhe kryeministri Albin Kurti i cili tha se Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur dhe kërkoi që të ndalet dhuna dhe të edukohen meshkujt se dhuna nuk është gjuhë e pranueshme komunikimi. Kurti po ashtu kërkoi nga organet e rendit dhe hetuesisë që të vënë para drejtësisë sa më shpejt vrasësin e dyshuar teksa u bëri thirrje të gjitha vajzave dhe grave që të lajmërojnë në polici rastet e dhunës./tvklan.al

Dardan Krivaqa