Pak ditë pas masakrës në dy xhamitë e Christchurch në Zelandën e Re, ku mbetën të vrarë 50 persona e u plagosën dhjetëra të tjerë, thyejnë heshtjen familjarët e terroristit Brenton Tarrant. Marie Ftizgerald, gjyshja e autorit 28-vjeçar rrëfen gjendjen e shokut që ka përfshirë familjen e saj.

“Jemi thellësisht të habitur, të shkatërruar, nuk dimë çfarë të mendojmë. Është shumë e pabesueshme për ne të mendojmë se dikush nga familja të ketë bërë diçka të tillë”.

81-vjeçarja e përshkruan Tarrantin si një njeri asocial, që nuk kishte të njëjtat dëshira me bashkëmoshatarët.

“Ai ka shpenzuar shumë kohë me kompjutera, me internet e duke luajtur lojëra dhe nuk kishte interes për vajza apo që të kishte një të dashur. Që kur nisi të udhëtojë nëpër botë, ndryshoi krejtësisht nga ai djalë që njihnim”.

Autoritetet neo-zelandeze njoftuan se Brenton Tarrant e kishte planifikuar sulmin prej muajsh. Kryeministrja Jacinda Ardern konfirmoi se ligji për armët do të ndryshojë shumë shpejt. Ndërkohë qytetarët i kanë paraprirë ligjit dhe kanë nisur t’i dorëzojnë ato vullnetarisht.

Tv Klan