Shkatërrohet banda e “Audit të zi”

“Kur zgjohem në mëngjes mendoj të vjedh çfarëdo gjëje që del. Po ti? Çfarë mendon? Të bësh pazar për të tjerët? Të shkosh në diskotekë”?

Këto janë fjalët e 24-vjeçarit shqiptar, Agustin Ndreca, një prej drejtuesve të bandës së “Audit të zi”. Ai u arrestua sëbashku me 5 anëtarë të tjerë të grupit.

Ndreca njihet me pseudonimin “Gusti”. Ndërkohë një tjetër drejtues i këtij grupi është edhe Ermal Gjeta, 29 vjeç, ose i njohur ndryshe si “Jake”.

“Shpenzoj sepse nuk janë para të fituara me djersë. Janë para hajdutësh dhe ne shpenzojmë shumë. Shkojmë në një bar me muzikë dhe harxhojmë 2 mijë euro në natë”, ka dëshmuar ai, ndërkohë që bën të ditur se për katër muaj grupi ka vjedhur 4 milionë euro.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, banda kryente grabitje kryesisht në Italinë veriore dhe atë qendrore. Bëhet fjalë për vjedhje në Romë, Umbria, Perugia, Frosinone, Bologna, Ravenna, Modena dhe Reggio Emilia.

Bazën banda e “Audit të zi” e kishte në Ponte di Nona dhe Tor Bella Monaca, ku edhe jetonin anëtarët.

Pasi hapnin kasafortat, ata grabisnin edhe makinat “Audi” të viktimave me të cilat arratiseshin më vonë. Në pranga kanë rënë 6 persona, ndërsa 9 të tjerë janë proceduar për bashkëpunim në grabitje. Autoritetet kanë sekuestruar në shtëpitë e tyre sende me vlerë. /tvklan.al