Vendimi i opozitës për të lënë mandatet e deputetëve ka sjellë reagimin e Bashkimit Europian. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, e pyetur nga gazetarja e Televizionit Klan në Bruksel, Erisa Zykaj, tha se thirrjet për të bojkotuar parlamentin dhe djegur mandatet janë kundërproduktive dhe kundër reformave që kërkon BE.

“Parlamenti është baza e çdo demokracie europiane, është vendi ku duhet të diskutohen reformat dhe zhvillimet që kanë lidhje me to dhe të çohen përpara, e jo të bojkotohen. Thirrjet e disa anëtarëve të partive opozitare për të bojkotuar parlamentin dhe për disa deputetë që të heqin dorë nga mandatet aktuale të tyre janë kundërproduktive dhe shkojnë përkundër përpjekjeve të vendit për reformat e Bashkimit Europian. Presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me perspektivën për të kapërcyer situatën aktuale politike”.

Koçijançiç komenton edhe protestën e opozitës, duke u shprehur se aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës publike, siç u pa të shtunën e kaluar në qendër të Tiranës, janë të papranueshme.

Vendimin e opozitës e ka komentuar edhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. I pyetur nga Televizioni Klan, ai thotë se nuk është hera e parë që opozita shqiptare heq dorë nga puna e saj në parlament.

“Nuk është për herë të parë që po përballemi me këtë situatë, që opozita shqiptare të heqë dorë nga puna në parlament. Sipas mendimit tim, asgjë nuk ka ndryshuar gjatë 5 viteve të fundit në këtë drejtim. Është detyra e opozitës për të ofruar një alternativë ndaj politikës aktuale në parlament dhe nëse ata e konsiderojnë të nevojshme, edhe jashtë parlamentit. Në fund të ditës, çdo anëtar i parlamentit vendos nëse ai ose ajo dëshiron të heqë dorë nga mandati i dhënë nga populli”.

Përveç Brukselit, duket se lëvizje të diplomacisë ka edhe në Tiranë. Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca dhe e dërguara me punë e Shteteve të Bashkuara Leyla Moses-Ones kanë zhvilluar një takim me Kryeministrin Rama pasditen e së hënës në zyrën e tij. Pas takimit asnjëra nga palët nuk dha detaje për atë që ishte diskutuar, por mendohet se temë mbeten zhvillimet politike të ditëve të fundit.

Tv Klan