45-vje֛ari shqiptar Spartak Dyrmishi i cili iu dorëzua sot autoriteteve greke pasi u arrestua në Vlorë, ka rrëfyer për hetuesit e vendit fqinj krimet për të cilat ai akuzohet.

Spartak Dyrmishi ka pranuar se ka abuzuar seksualisht me një 34-vjeçare në Athinë javën e kaluar si dhe tentoi të përdhunonte një 23-vjeçare tjetër brenda të njëjtës natë. Por sipas tij, veprimet e tij kanë qenë të pavullnetshme për shkak se ishte në gjendje të droguar.

“Kokaina dhe alkooli që kisha konsumuar më herët janë përgjegjëse për veprimet e mia. Isha i pavetëdijshëm për veprimet pas konsumimit të drogës. Çfarëdo që bëra, e bëra rastësisht kur pashë dy gratë në rrugë. Kur e pashë veten në videot e kamerave të sigurisë, e kuptova që do të më arrestonin dhe u nisa për në Shqipëri”, ka thënë ai para hetuesve grekë, siç raportojnë mediat e Athinës.

45-vjeçari kishte kaluar në Shqipëri përmes doganës së Kakavijës, ndërsa pala greke kërkoi bashkëpunimin e Policisë Shqiptare për kapjen e tij. Policia jonë reagoi brenda 24 orëve pas kërkesës, duke gjetur dhe arrestuar në Vlorë Spartak Dyrmishin mbrëmjen e së hënës, i cili iu dorëzua policisë greke mëngjesin e së martës. /tvklan.al