Flet infermierja shqiptare që shkoi në Itali: Frika është e madhe, por…

Flet infermierja shqiptare që shkoi në Itali: Frika është e madhe, por…

16:35 06/04/2020

Sot në programin “Historia ime” në TV Klan në një lidhje në Skype ishte një nga 30 infermierët dhe mjekët që shkuan për të ndihmuar në luftën ndaj pandemisë në vendin fqinj.

Lindita Hasa u shpreh se ajo ndodhet në siptalin e Brescias, në spitalin më të madh të zonës së Lombardisë ku edhe ka filluar punën.

Infermierja tregoi se pritja nga ana e stafit mjekësor italian ka qenë shumë e mirë dhe ata janë treguar shumë të afërt me ta.

Mirela Milori: Në çfarë spitali je në Itali? Ku ju kanë vendosur?

Lindita Hasa: Jam në spitalin e Brescias, në spitalin më të madh të zonës së Lombardisë.

Mirela Milori: Më thuaj si është situata atje?

Lindita Hasa: Me thënë të drejtën me kolegët që po punojmë, se unë dhe një ekip prej 3 infermierësh të tjerë jemi direkt në infektiv dhe pasi bëjmë biseda ku kemi pak kohë të lirë sepse koha është e kufizuar dhe na thonë se para se të vinim ne, situata ishte shumë e rënduar, kurse tani është drejt rënies dhe shpresojmë të bjerë akoma numri i pacientëve.

Mirela Milori: Keni filluar punën apo jeni në një fazë trajnimi?

Lindita Hasa: Jo absolutisht jemi direkt në terapi intensive. Kanë qenë dy apo tre ditët e para, që na bënë një pyetësor për CV që gjithsecili prej nesh ka, për të na përcaktuar dhe në pavijonet që ne kemi eksperiencat në Shqipëri. Na bënë dhe tamponimin për të qenë të sigurt dhe ne dolëm të gjithë mirë. Shpresojmë që të kthehemi po të gjithë mirë.

Mirela Milori: Si ju ka pritur stafi mjekësor italian?

Lindita Hasa: Ka qenë një pritje madhështore që nga pushtetarët, qeveritarët, pastaj personeli është shumë i afërt me ne, shumë i mirë. Jo të gjithë e dinë komunikimin e gjuhës italiane rrjedhshëm, por edha ata që nuk flasin rrjedhshëm nuk e kanë aspak të vështirë, se janë shumë të afërt. Nuk i kisha njohur personalisht, kisha dëgjuar që janë popull i butë, por me të vërtetë janë kështu.

Mirela Milori: Ndjetë ju ndonjë diferencim?

Lindita Hasa: Nuk ndjemë absolutisht diferencim sepse ne kemi ardhur me eksperiencë pune, nuk ka asnjë fillestar që të ndjejë atë diferencimin. Gjithmonë mjekësia ka gjëra të reja, çdo ditë mësohet për ndryshime, mjekime. Terapia është pothuajse e njëjta, mund të ndryshojë mjekimi nga Italia në Shqipëri, por pothuajse janë ato.

Mirela Milori: Linda ti ke lënë familje në Shqipëri?

Lindita Hasa: Po kam lënë, një mami shumë të sëmurë. Po ky ishte vendimi im, se kur bëhesh infermiere nuk duhet të pyesësh më për familjen sepse duhet të jesh gjithmonë e gatshme aty ku kanë nevojë për ty. Mamit i kam thënë në momentin e fundit.

Mirela Milori: Kishe frikë kur u nise?

Lindita Hasa: Frika është shumë e madhe, nëse dikush thotë nuk ka frikë jam e sigurt qe gënjen, por nëse je e kujdesshme dhe mbrohesh, jam e sigurt që nuk të gjen asgjë nga kjo./tvklan.al

Të ngjashme

Grupi

Kallezo