Flet ish-mjeku i Enver Hoxhës: Raporti me ish-diktatorin dhe historia e Doktorit të arratisur

Flet ish-mjeku i Enver Hoxhës: Raporti me ish-diktatorin dhe historia e Doktorit të arratisur

22:20 11/09/2019

Isuf Kalo, ish-mjeku i Enver Hoxhës, në një rrëfim për emisionin “Opinion” në Tv Klan, flet për raportin që ai kishte me ish-diktatorin e Shqipërisë.

Isuf Kalo tregon momentin kur ai nga mjek personal i Hysni Kapos, u propozua nga ky i fundit që t’i shërbente Enver Hoxhës.

Kalo flet edhe një nga mjekët që i shërbenin ish-diktatorit, për të cilin thotë se u arratis nga Shqipëria drejt Çekisë, por për arsye personale dhe jo politike. Për këtë arsye, regjimi komunist i asaj kohe nuk e ndoqi historinë e tij.

Blendi Fevziu: Çfarë raporti keni pasur ju me Enver Hoxhën? Keni qenë mjeku personal, i parë dhe kryesor i tij apo jo?

Isuf Kalo: Në koncept mjek personal nuk mund të ketë. Edhe në klinikën special për një kohë të gjatë, nuk ka pasur mjek personal. Për Enver Hoxhën në të vërtetë është kujdesur fillimisht Ibrahim Dervishi, pastaj një Doktor Shameti, i cili çuditërisht u arratis në Çeki. Ishte drejtor i klinikës speciale dhe u arratis nga vitet ’60. Ai kishte gruan e tij ose të dashurën e tij në Çeki dhe ai simuloi një situatë të tillë, sikur do shkonte për kurim në Vienë dhe prej andej iku për atje. Por nuk u përzje më në politikë, nuk tha asgjë për Enverin dhe as regjimi mesa di nuk është se i gjëmoi pas, sepse e bëri për arsye krejt personale jo politike. I vetmi mëkat që i quajti, sepse ai mori një shumë parash për të bërë ekzaminimet, nuk i ktheu më. Ai mori trenin për nga Viena vajti në Pragë edhe atje u mbyll kjo histori.

Blendi Fevziu: Ndërkohë, z.Kalo çfarë raporti keni patur me Enver Hoxhën?

Isuf Kalo: Raporti mjek-pacient. Unë isha në vitit 70′-73′ u caktova mjek personal për Hysni Kapon, vuante nga diabeti. Arsyeja e mjekut personal ka qenë shumë e lidhur me sëmundjen e diabetit që do një kujdes të vazhdueshëm pothuajse gjatë gjithë jetës dhe është mirë që këta ta ketë një mjek që ndjek ecurinë e saj dhe njeh mirë pacientin. Aty ka qenë një mjek tjetër, Hektor Peçi, i cili u largua për një arsye të caktuar, dhe Hysni Kapo me iniciativën e tij, nuk ka qenë kërkesë e Enverit, i propozoi Enverit që mjekun e tij, domethënë unë, të kaloja Enver Hoxha. /tvklan.al

Të ngjashme