Pjesë e operacionit për riatdhesimin e 19 shqiptarëve nga kampet siriane ka qenë edhe struktura e antiterrorit në Ministrinë e Brendshme. Kreu i saj, Gledis Nano, foli për mediat pas kthimit në Shqipëri. Ai tha se për identifikimin e shqiptarëve në kampin Al Hol është punuar që në operacionin e kaluar. Pasi këta persona janë identifikuar ai tregoi se janë transferuar në kampin Roxh, një kamp tjetër, ku sipas tij ka më tepër rregulla dhe më shumë kushte për të jetuar. Megjithatë, operacioni ka pasur shumë vështirësi, kjo për shkak të prezencës që ISIS ka ende në Siri.

“Vështirësitë janë dhe vazhdojnë të jenë për shkak se ISIS ka prezencë në terren. Ka familjarë, fëmijë dhe gra që nuk lejohen të riatdhesohen, pasi duhet të qëndrojnë aty sipas ideologjisë radikale dhe ekstremiste që kanë grupet terroriste. Në kuptim me bashkëpunimin e agjencive të tjera ligjzbatuese në rajon ka pasur lehtësira pasi bashkëpunimi sa vjen dhe thellohet dhe marrëdhëniet janë më të ngushta”.

Këtë të diel u kthyen në atdhe 14 fëmijë dhe 5 gra. Por cili është fati i bashkëshortëve të tyre. Një pjesë ndodhet në burg, një pjesë është fshehur në terren dhe një pjesë ka dyshime se kanë humbur jetën.

“Jemi duke punuar edhe në atë drejtim. Disa nga personat e identifikuar ndodhen në burg në zonat e Siri verilindore. Një pjesë e tyre janë larguar dhe janë fshehur në terren. Një pjesë ka dyshime se kanë humbur jetën gjatë luftimeve”, tha Nano.

Kreu i antiterrorit u shpreh se do të vijojë puna për kthimin e shqiptarëve të tjerë. Pjesa më e madhe sipas Nanos gjendet në kampin Al Hol dhe nuk janë bashkëpunues.

“Pjesë më e madhe janë në Al-Hol dhe nuk janë aspak bashkëpunues. I fshihen strukturave të sigurisë kur hyjnë në kamp për t’i ndihmuar që të kthehen në vendin e tyre”, u shpreh ai./tvklan.al