Mjeku Pëllumb Pipero në një dalje të shkurtër para mediave, ka sqaruar rastin e pacienti 61-vjeçar që ka pësuar vdekje klinike, por që u raportua fillimisht se kishte ndërruar jetë.

Pipero tha se në spitalin Infektiv situata është dinamike, ndërsa tha se pacienti ka bërë vdekje klinike që ka zgjatur gjatë, por përpjekjet e mjekëve e kanë rikthyer sërish në jetë.

“Situata në shërbimin e sëmundjeve infektive është dinamike, sa i përket rasteve të reja, ndjekjes së pacientëve të prekur, kemi më shumë se 40 të shtruar që kanë problematike të ndryshme në varësi të moshës dhe sëmundjeve. Kemi raste që janë relativisht mirë dhe shpresojmë t’i nxjerrim, kemi raste të rënda dhe shumë të rënda që janë pacientët në terapi intensive. Njëri nga rastet ka bërë vdekje klinike, që zgjati relativisht gjatë, por mjekët reanimatorë e kthyen në jetë. Fatmirësisht u rikthye në jetë por vijon të jetë rëndë. Në këtë lloj situate të rasteve të shtuara këmbëngul t’ju them qytetarëve të jenë të duruar, të qëndrojnë në shtëpi dhe nëse kanë nevojë të telefonojnë 127”. /tvklan.al