Ermioni Kaçifas, motra e të ndjerit Kostandino Kaçifa, ka folur për televizionin grek Ant1 për ngjarjen e rëndë që ndodhi më 28 Tetor në fshatin Bularat. Sipas saj, vdekja e vëllait ishte diçka e planifikuar paraprakisht.

“Ai ishte një objektiv, e ndiqnin për ditë e muaj. Ai nuk do të bënte asgjë. Kush dha urdhrin për të bërë këtë ekzekutim? Nuk mund të priste policia”, tha ajo.

Sipas Ermionit, vëllai i saj Kostandino

“nuk do t’i bënte keq askujt”

, sikurse edhe u shpreh për televizionin grek, sepse nuk e kishte një armë të tillë.

Ermioni Kaçifa përmendi edhe një episod me policinë shqiptare kur shkuan për kontroll në banesën e prindërve të saj në fshatin Bularat.

Ajo thotë se policia i kërkoi nënës së saj që të fliste shqip.

“Çfarë është këtu, Greqi”.

Me këto fjalë, sipas Ermionit, iu drejtuan forcat e policisë nënës së saj, për të cilën thotë se nuk di shqip.

Motra e Kostandino Kaçifas foli edhe për ekspertizën e dytë që po i bëhet trupit të vëllait të saj, duke vonuar kështu ceremoninë mortore.

“Duam t’i themi lamtumirë, nuk mund të presim kaq gjatë, është e papranueshme dhe e qëllimshme kjo vonesë. Kjo pritje na vret”,

është shprehur ajo, edhe pse fillimisht ka qenë familja e të ndjerit që kërkoi autopsi të dytë për djalin e tyre, nga një ekspert grek.

Motra e 35-vjeçarit theksoi gjithashtu se Kostandino ishte i qetë ditën e ngjarjes, dhe kishte planifikuar të shkonte në kishë pas ceremonisë për ushtarët e rënë grekë.

Minoritari Kostandino Kaçifa qëlloi me armë patrullën e policisë në fshatin Bularat më 28 Tetor për motive ende të paqarta. 35-vjeçari mbeti i vdekur gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA, pasi nuk pranoi që të dorëzohej.

/tvklan.al