“Nuk besoj se e ka përdhunuar, nuk do t’i marrim avokat

Mimoza Saliaj: Luisi, më falni se jam shumë e shqetësuar. Për atë që flitet në media nuk jam dakord, për atë që ka dalë kohët e fundit.

Gazetari: Dje është përfolur për një përdhunim.

Mimoza Saliaj: Luisi e kishte nënë Dritën dhe nuk e bënte kurrë këtë.

Mimoza Saliaj nuk arrin ta besojë që djali i saj 16-vjeçar mund ta ketë përdhunuar të afërmen e tyre, 52-vjeçaren Drita Saliaj, sëbashku me dy miqtë e tij, përpara se ta hidhnin të lidhur duar e këmbë në rezervuarin e fshatit Gjerbës.

Mimoza Saliaj: Çfarë duhet të them më, është shumë fjalë e rëndë për Luisin kjo.

Gazetari: Ju e keni dorëzuar me duart tuaja në polici.

Mimoza Saliaj: Ato që kemi dëgjuar, nuk kam asgjë për të fshehur. Këtë të përdhunimit nuk e besoj… Këtë nuk e besoj, sepse Drita e ka rritur djalin tim.

Për gjithçka tjetër ajo kërkon drejtësi. Familja e saj është e tronditur për ngjarjen e ndodhur në shtëpinë që ndodhet rreth 30 metër larg banesës së tyre dhe në emër të drejtësisë djalit nuk do t’i marrin avokat.

Mimoza Saliaj: E kam përjetuar shumë keq. Rri shtrirë gjithë ditën, por drejtësia të vihet në vend. Të marrë atë që meriton, nëse e ka bërë.  Nuk e përfaqësoj me avokat. Nëse ai e ka bërë atë punë, le të marrë atë që meriton.

Gazetari: Si ndihet bashkëshorti?

Mimoza Saliaj: Shumë keq, vetëm qan në telefon.

Luis Saliaj, bashkëmoshatari i tij Sindi Shehaj dhe shoku i tyre Ervis Zotaj, 27 vjeç u lanë të hënën në burg për vrasje me paramendim.

Mbrëmjen mes 4 dhe 5 Janarit ata shkuan në shtëpinë e Drita Saliajt për të blerë hashash. Qëndruan aty për afro dy orë, deri 30 minuta pas mesnatë, pinë kafe e raki dhe i kërkuan asaj një pako hashash. E donin me 50 euro, por Drita u kërkoi 200 Euro. Nuk ranë dakord dhe e lidhen gruan këmbë e duar. I vunë një shall në gojë që të mos bërtiste. 27-vjeçari Zotaj, sipas rrëfimit të dy të miturve në prokurori, e ka përdhunuar, por ai nuk e ka pranuar krimin dhe ka mohuar të ketë qenë në shtëpinë e viktimës.

Prokuroria thotë se veç dëshmive të dy të miturve, ka edhe prova të tjera që i implikojnë që të tre, edhe pse edhe dy 16-vjeçarët pretendojnë se nuk kanë qenë prezentë në momentin e përdhunimit, apo kur trupi është hedhur në liqen. Historia u zbardh pasi 16-vjeçari Saliaj ua tregoi fillimisht të afërmve dhe më pas, sëbashku me nënën Mimozën, shkuan në polici.

Tv Klan