Elmir Tufa: Nuk kam lidhje me atentatin, ditën e ngjarjes nuk isha në Fier

Elmir Tufa, njëri nga 4 personat e akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit më 1 Shkurt në qytetin e Fierit, mohon që të jetë i përfshirë në këtë atentat.

Në një intervistë ekskluzive nga arratia për emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, ai thotë se ditën e ngjarjes ka qenë në qytetin e Krujës dhe jo në Fier. Këtë pretendim e mbështet në pamjet filmike të një biznesi, të cilat ka arritur t’i sigurojë privatisht.

“Këtu jam me të njëjtin kostum vetëm se aty kam qenë me mjekër dhe këtu jam pa mjekër por gjithsesi unë kam këtu foton që kam qenë me mjekër. Në 9:03 minuta kam parkuar makinën dhe këtë e ka kontrolluar edhe policia, kanë ardhur kanë marrë targën”, thotë ai.

Autorin tjetër të shpallur në kërkim, Albert Zajën, thotë se e njeh. Sa i përket makinës Audi që është sekuestruar nga policia dhe që dyshohet se është përdorur nga autorët pas vrasjes së Kastratit, tregon se një mjet të ngjashëm e kishte Albert Zaja. Në automjetin e tij Audi kishte hipur disa ditë përpara atentatit, por jo ditën e vrasjes.

“Albert Zajën e njoh se jemi në një fshat dhe flasim rrimë, kemi pirë kafe, kaq. Unë në këtë automjet kam hipur përpara, dy tre ditë para ngjarjes. Audin e kam parë 2-3 muaj më përpara”, është shprehur ai.

Për përfshirjen e emrit të djalit të tij në këtë krim, babai i Elmirit, Bujar Tufa shprehet se do të dërgojë pleqtë në familjen Kastrati për t’u betuar se i biri nuk është i përfshirë.

“Unë do ti çoj pleqtë atij tani, Kastratit. Ja sa të mbush të dyzetat. Çunin e kam pasur në Krujë”, thotë ai.

Të akuzuar dhe të shpallur në kërkim për ekzekutimin e Shkëlzen Kastratit janë Albert Zaja, Elmir Tufa, Elson Xheçuka dhe Roland Cara.

Klan News