Në Shtator të vitit 2020 bëri bujë zbardhja e ngjarjes së vitit 2012, kur pas Dajtit në Tiranë u gjetën mbetje kockore dhe nga ekspertiza rezultoi se eshtrat e groposura i përkisnin Eglantina Bucit. Për këtë ngjarje policia arrestoi Faik Bucin, babain e vajzës që e akuzonte për organizimin e vrasjes, si dhe Shkëlzen Bucin, vëllain e Eglantinës, ndaj të cilit rëndon akuza e vrasjes së motrës.


Për herë të parë ka folur në media Faik Buci duke treguar versionin e tij. Në një intervistë ekskluzive nga burgu Jordan Misja për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, babai i viktimës, Faik Buci ka treguar variantin e tij të historisë. Ai thotë se fillesat e ngjarjes janë që në vitin 2008, kur vajza e tij u largua nga banesa dhe kishte marrë me vete një shumë parash prej 18.5 milionë Euro.

Faik Buci pretendon se vajza e tij ishte trafikuar për qëllime prostitucioni. Ai thotë se kishte bërë denoncim për largimin e vajzës nga banesa dhe vjedhjen e parave.

“Tani e vërteta e kësaj ngjarje daton që në vitin 2008 kur vajza ime është larguar nga shtëpia nëpërmjet një personi që nuk mund ta bëj të ditur, bashkë me këtë personin me një fjalë, në 2008-ën me një shumë lekësh prej 18 milionë e gjysmë. Dhe është larguar nga shtëpia, atë ditë unë s’kam qenë në shtëpi kam qenë me gruan në spital, dhe më vjen informacioni nga djali i vogël që më ka vdekur: Babi është larguar vajza, Eglantina, nga shtëpia. Dal nga spitali dhe kthehem në shtëpi, te Komisariati Nr.4 në Tiranë dhe bëj një kallëzim, kallëzim që më ka ikur vajza. Pastaj i drejtohem Komisariatit Nr.5 në Tiranë dhe bëj një kallëzim që më është larguar vajza nga shtëpia bashkë me 18 milionë e gjysëm lekë të vjetra. Në këtë moment, të dhëna nga persona të besueshëm të komshinjve më thonë që vajza jote ka ikur me një makinë të bardhë në orën 9 e gjysëm – 10:00 në Babrru dhe e kanë çuar në Vlorë atë ditë bashkë me një tjetër e kanë çuar në Vlorë në katin e dytë dhe e kanë trafikuar për ca kohë, e humbur, dhe unë nuk rreshta së kërkuari duke kërkuar që të gjendet vajza ime. Çdo përgjigje që unë kam trokitur në dyert e organeve ligjzbatuese të cilat nuk m’i hapën dyert kurrë, të cilët më refuzuan dhe duke më thënë se ajo ka moshë madhore dhe nuk ke pse të ndërhysh ti në jetën e saj. Pra ishte një person i humbur, kishte vjedhur shtëpinë e vetë në bashkëpunim me dy persona të tjerë të cilët unë i kam emrat, i kam bërë të ditur në Prokurorinë e Tiranës, kam bërë një kallëzim dhe nuk u mor parasysh absolutisht asgjë. Në 2010 kam pasur kontakte sepse në kohën që e gjeta nëpërmjet televizionit, e gjej me një këngëtar nga Kukësi, e përdorte si valltare. Edhe i them oficerit të policisë së zonës që shko dhe më sill vajzën, përndryshe do ketë punë ai kuksiani. Dhe më thotë nesër në mëngjes se sot, nesër ose pasnesër pas 2-3 ditësh e sjellin te Komisariati Nr.5 në Tiranë. Shkoj unë bashkë me gruan dhe në këtë kohë vjen i shoqëruar me një person, me një polic dhe pashë dhe një tjetër”.

Pasi e gjeti vajzën, Faiku rrëfen se Eglantina i kishte thënë që nuk dëshironte të kthehej sërish në banesë. Sa i përket shumës së parave prej 18.5 milionë Lekësh që ishin vjedhur, ai tregon se vajza e mohoi fillimisht marrjen e parave, por më pas pranoi që kishte marrë lekët.

“E morën në pyetje për shumën e lekëve. Për paratë njeherë s’pranoi që i ka marrë. Herën e dytë e pranoi sepse e detyruan ata dhe tha njëherë i kam hedhur në kosh plehrash, pastaj ia ka dhënë tutorit. Dhe në këtë moment personi i cili e shoqëroi vajzën time në Komisariatin Nr.5 më thotë pas 3-4 orësh: Bën vaki dhe më zë emrin, do të ta vras djalin e vogël. Djalin, më ka vdekur një djalë 24 vjeç. Dhe më tha, për djalin që më ka vdek, do të ta vras. Po, po. Dhe unë vërtetë u shkatërrova si njeri sepse të jesh midis komisariatit dhe të të kërcënojë burri i botës drejtpërdrejt, të thotë po nxorre emrin do të vras, nuk e di se si mund të reagoja në atë moment. I kam thënë për sa kohë do jem gjallë emrin do të ta zë ty edhe të tjerëve si puna jote. Iku kjo pjesa, morëm vajzën e çuam në qendër rehabilitimi në Linzë. Paratë i pranoi që i mori nga shtëpia dhe më thotë Komisariati Nr.5 që do të qëndrojë në burg. I thashë për burg e kam nis. Të shkojë në burg të vuajë dënimin sepse vjedhje në bashkëpunim me persona të tjerë është i dënueshëm. Pas ca kohësh, unë kam vazhduar kontaktet me vajzën gjatë gjithë kohës në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë. Gjithë kohës. Kam vazhduar përsa kohë ishte në qendër rehabilitimi. Në moment që unë bëra kallëzimin e parë për ikjen nga shtëpia, e ka pasur Arben Qosja i cili e mbylli çështjen për mosfillim të çështjes, për arsye se nuk ka vepër penale kur ishte grabitur shumë 18 milionë lekë, kur ishte një tutor që e kishte marrë nga shtëpia me dëshmitarë okularë të fshatit ku jetoja, dhe e mbylli çështjen. Atëherë unë bëra seancën gjyqësore me Arben Qosen, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Tiranë. Seancën e tretë nuk u paraqita se më thanë që do të bashkëpunojë vajza ime dhe mos e ndiq më këtë çështje në gjyq. E mbyllim dhe unë e lashë atje. Atëherë, mbylljen e mosfillimit të çështjes unë e delegoj në Gjykatën Civile dhe i jepet çështje prokurorit Blerim Tominaj, i cili në 2008 merr çështjen Blerim Tominaj. Bashkëpunoj ngushtë me Blerim Tominajn, prokurorin e rrethit të Tiranës, duke i dhënë prova, bashkë me Ardian Çipën, shefin e trafikut të qenieve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshëm të Policisë Qarkut Tiranë. Dhe i them që: Shok, urdhro provat, urdhro tutorin, urdhro grabitësin. Dhe më ka thënë shprehimisht Ardian Çipa, ish-shefi i antitrafikut në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Tiranë: Të jetë edhe djali i Sali Berishës nuk ta quajmë. Iku kjo pjesë. Kthehem te prokurori. I them, prokuror çfarë do bëhet? Do ta rregullojmë. Dhe në fund pasi 2 vite e gjysëm, gati 3 vjet, e mban çështjen Blerim Tominaj dhe i them unë duke i dhënë dhe provat, telefonin e vajzës, prova, dëshmitar që kishte mesazhe, kërcënime, trafikime edhe ka përdorur dhe drogë vajza, me gojën e saj e ka përmendur në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë. E mbylli çështjen, nuk më dha asnjë lloj përgjigje, dhe sot e kësaj dite unë që kam referuar çështjen në Prokurori s’kam sot asnjë mbyllje, as vazhdim, as hetim, dhe më ka thënë shprehimisht Blerim Tominaj: Ik dhe merr përfundimet në Vlorë. Zotëri i them, nuk kam pse të shkoj në Vlorë unë kur çështjen e kam referuar në Tiranë dhe Vlora heton për Tiranën”.  /tvklan.al