Agim Seranaj: Nuk e di akoma cila është arsyeja përse më shkarkuan

Historia e të enjtes në “Opinion” ishte ajo e një personazhi që ka lënë një shije jo të mirë këto ditë në Shqipëri. Bëhet fjalë për Agim Seranajn. Profesor i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, i cili zbuloi që në momentet e emergjencës, problematika që vinte nga organizimi shtetëror ishte shumë e madhe, sidomos formularët që merreshin me përcaktimin e pallateve, nëse kishin ose jo probleme.

Ai denoncoi 5 tipe të ndryshme formularësh dhe pati një lloj angazhimi publik, jo vetëm në televizion, jo vetëm në emisionin “Opinion”, por në të gjitha studiot televizive.

Për këtë u shkarkua nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, nga pozicioni i tij si Zv/dekan.

Gjatë prezantimit të kësaj interviste, gazetari Blendi Fevziu tha se kjo nuk është historia e parë e këtij lloji, por natyrisht tha ai, të shkarkosh një person për angazhimin e tij publik është më shumë sesa e shëmtuar.

“Njëri vë shenjë kryq të kuq. Njëri vë shenjë blu, që nuk e kam mësuar as çfarë do të thotë. Kurse kjo… Ja çfarë janë shqiptarët kur i lë pa sistem. Kjo fletë, e vendosur për të siguruar hyrjen e banorëve, e dini çfarë prodhon truri në panik? Ju shkon në mendje ju që shkojnë natën e shkulin dhe ia ngulin pallatit të vet? Ju shkon në mendje ju? Ngjyrë e kuqe është kjo, ngjyrë e kuqe ka këtu, në këtë format, në konkluzionin ku thotë e kuqe e pabanuar. Këtu, mund të jetë e kuqe kjo, po u shoqërua me ngjyrë, që nuk duhet banuar, ose duhet banuar, se ka idenë ky. Ka lloje-lloje të kuqesh…”

Vetëm pak ditë pas këtyre deklaratave të pedagogut dhe konstruktorit Agim Seranaj në emisionin “Opinion”, një letër që mban firmën e dekanit Neritan Shkodrani, e shkarkon atë nga detyra si zv/dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.

Në një intervistë për “Opinion”, Seranaj thotë se nuk ka një arsye për këtë vendim.

“Jo nuk kam arsye, sepse arsyen që do të kisha do ta lexoja tek vendimi. Dhe tek vendimi nuk ka ndonjë arsye, kështu që unë nuk e di akoma kush do të ketë qenë arsyeja dhe pres ta mësoj edhe unë. Në vendim është një nen atje i ligjit të Arsimit të Lartë, i cili thotë që dekani emëron dhe shkarkon zëvendësdekanin. Sipas procedurave që i përcakton statuti i Universitetit. Pastaj kur i kthehesh statutit të Universitetit, atë nenin e statutit, ajo në fakt nuk detajon asgjë. Dhe ajo thotë të njëjtën gjë, që dekani emëron dhe shkarkon zv/dekanin”.

Pra nuk ka një motivacion të specifikuar…

“Jo nuk ka, nuk ka akoma. Unë shpresoj dhe uroj që kjo të ketë qenë një lapsus, ose një nxitim, nuk e gjej dot se ç’mund të ketë qenë. Sepse të drejtën në fakt për të gjetur bashkëpunëtorin edhe për emëruar apo dhe shkarkuar le ta ketë, por ka procedura të akteve administrative. Do të thotë minimalisht duhet ta kishte bërë një bisedë, duhet të ishte shprehur përse arriti deri tek kjo, sepse ndoshta ndonjë keqkuptim mund të ketë patur dhe nëse do të kishim bashkëbiseduar mjafton edhe 55 minuta kohë, mesiguri nuk do ta kishte bërë. Unë shpresoj do ta anulojë ai atë. Mbase vetë jo në fakt, sepse nuk e ka të lehtë. Po nuk është vendim final. Vendimi final për këtë punë e merr institucioni i Drejtorit nga Rektori dhe kjo punë tani mesiguri po trajtohet edhe nga Rektori, sepse në takimet që kemi bërë, edhe Rektori është ndjerë i habitur, i çuditur dhe nuk e ka mirëpritur në fakt këtë vendim kaq të shpejtë dhe të prerë dhe të paparashikuar, pa asnjë lloj sinjali. Kështu që unë kam depozituar atje një kërkesë tani, që pres ta trajtojë Rektori, edhe do marrim përgjigje dhe do shohim a ka arsye dhe a qëndrojnë? A janë zbatuar procedurat? A është i drejtë vendimi i dekanit? Do ta zbardhë mesiguri institucioni”.

Me një përvojë më shumë se 20 vjeçare në mësimdhënie dhe në projektimin e më shumë se 1 mijë konstruktioneve, inxhinier Seranaj bashkë me kolegët e tij qenë ndër të parët specialistë që u përfshinë në procesin e inspektimeve të dëmeve, në zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit.

“Na qëlloi që ne duhet të bëheshim, nga profesionet tona, më të prekurit prej kësaj gjëje dhe më aktivët për t’u përballur me këto fatkeqësi. Kështu që, që ditën e parë ne jemi organizuar në grupe pune profesionale për të bërë vlerësimet e dëmeve dhe për të orientuar njerëzit se ç’duhet të bëjnë”.

Përtej specialistit, inxhinieri zbulon nga këto përvoja edhe një ndjesi njerëzore.

“Eksperienca e jonë, le të themi, bëri që të paktën të kishim guximin që në minutat e para që profesionalisht të mos kishim merak, ta lëshonim me shkrim atë që shihnim dhe atë që duhet të vlerësonim, shkallën e dëmtueshmërisë dhe qëndrimin ndaj banorëve që duhej apo nuk duhej të banonin në ambientet e tyre. Kurse emocioni i fuqishëm shpirtëror erdhi kur ne u përballëm me objektin e parë të dëmtuar në Kënetë. Ne shkuam në një objekt 12 katësh, ku që nga jashtë kur po i afroheshim, dukeshin sesa të dëmtuara ishin fasada, muret e rrëzuara, edhe kjo më bëri që unë të guxoj të ngjitem duke u futur nëpër shkallë, jashtë kushteve teknike, nuk më shoqëroi dot asnjë nga ata të grupit dhe më kritikuan se përse e bëre këtë. Mirëpo kjo më bëri mua që të shoh më shumë dëmtimet dhe të ndjej më fort, të prek sesi ata njerëz, në atë rrëmujë gërmadhash që ishin krijuar nëpër shkallë, të kenë kaluar pa u dëmtuar, nëse nuk ishin dëmtuar, e pa u gjymtuar, nëse nuk ishin gjymtuar, sepse informacion nuk kishim se çfarë ka ndodhur me këtë godinë. Ndoshta truri perceptonte që diçka do të ketë ndodhur, edhe me ecjet nëpër këto gërmadha të krijuara. Kur unë po ngjitesha në katin e dytë, një banor, që merrte ç’mund të merrnin, se kishte njerëz që edhe merrnin, ngjiteshin e zbrisnin, më tha: Të lutem hajde të shikosh shtëpinë tim. Kur kam shkuar tek shtëpia e tij bashkë me të, shtëpia nuk kishte më mure, të gjitha ambientet, dhomat, ishin të bashkuara, sepse kishin rënë të gjithë muret ndarëse. Në të njëjtin kohë shihje copa muresh të rëna mbi jastëkët martesorë dhe në të njëjtën kohë kur kaloje pak këndin e vështrimit, shikoje edhe mbi krevatet e jastiqeve të fëmijëve. Këto i shihje në një sekondë të gjitha, që mu desh mua 2 minuta t’i tregoj. Kjo bëri që lotët të të shpëtojnë”.

Por ndërsa pret që rektori të mos pranojë shkarkimin e tij nga ana e dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë, Agim Seranaj vijon të jetë aktiv. Sëbashku me specialistë të tjerë, ata synojnë të ndihmojë në tejkalimin sa më shpejt të situatës së krijuar për tërmetin e 26 Nëntorit. Përmes një platforme konkrete për menaxhimin e situatës.

“Pak nga pak ne kemi diskutuar midis nesh, deri në rektorat, shumë herë, që të guxonim, të merrnim rolin e liderit për ta menaxhuar gjithë procedurën e rindërtimit. Kjo punë po bëhej jo vetëm nga Universiteti, por edhe nga Shoqata Shqiptare e Inxhinierëve Konsulentë, kështu që u bashkuan forcat e të dyja institucioneve kryesore, edhe doli një produkt më datë 18, të cilin ne ia kemi dërguar zotit Kryeministër. Ia kemi dërguar edhe për dijeni Presidentit. Ne tani kemi shpresën që do të kontribuojmë më shumë nëse vërtetë diçka, në mos e gjithë e asaj që ne kemi propozuar, sesi ta marrim përsipër, sesi të guxojmë edhe sesi të menaxhohet nga pikëpamje tekniko-profesionale gjithë ky proces, që të dalin të nderuar të gjithë, shtet, qeveri, universitet, shoqatë, e të gjithë aktorë, mesiguri do të t’ia dalim mirë, faqebardhe asaj pune”./tvklan.al