Ajo është një ndër reperet më të komentuara, e cila ka tërhequr vëmendjen e publikut që në daljen e saj të parë. Rina Balaj depërtoi në tregun muzikor pas bashkëpunimit me reperin nga Kosova Fero, me këngën “S’ka konkurrencë”.

Edhe pse e re në moshë, pasioni për muzikën e bëri atë ndër reperet më të pëlqyera. Me karakterin e një vajze të guximshme dhe plot stil ajo ia ka dalë të brohoritet. Prej dy vitesh është pjesë e tregut muzikor dhe numëron disa këngë të suksesshme. Sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan reperja tregoi fillimet e karrierës së saj dhe pasionin për muzikën.

“Nuk e kisha menduar asnjëherë veten si këngëtare apo si repere. Mendoja gjithnjë të bëja muzikë dhe sërish e lija për një moment të dytë, por pata fatin të provoja që jam këngëtare dhe kam shumë sukses. E nisa vetëm për qejfin tim, jo për famë. Fillimisht kam nisur të bëj cover-a në Instagram, ishte mënyra më e thjeshtë për t’iu treguar njerëzve që di të këndoj. Më pas kam marrë pjesë në “X Factor”, ajo ka qenë dalja ime e parë profesionale”, tha Rina.

Rina ka krijuar identitetin e vet dhe madje e konsideron veten si ‘mami’ e muzikës rep. Ajo shpesh herë në tekste i bën edhe diss këngëtares Tayna, por sot në emision sqaroi se nuk ka asgjë personale me kolegen e saj dhe se janë portalet ata që e kanë krijuar këtë situatë.

“Personalisht nuk e kam takuar asnjëherë dhe nuk kam pasur biseda me të as para famës dhe as tani. Këngën time të parë unë e kam publikuar në 2018-ën dhe atëherë nuk kam pas askënd për t’i bërë diss, thjesht e kam kënduar. Nuk është qëllimi im të krijoj urrejtje, por thjesht të ndez atmosferen. Më pas filluan t’më bëjnë diss-e, por unë nuk jam ndjerë ashtu si më kanë përshkruar. Nuk ka asgjë mes nesh, janë thjeshtë portalet ata që e kanë krijuar këtë. Nuk e kam qëllim të bëj reperet të urrejnë njëra tjetrën. Tekstet tona janë thjeshtë rastësi”, tha Rina./tvklan.al