Virusi i rrezikshëm, koronavirusi, është përhapur në rreth 15 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Kanadanë. Dy janë hipotezat rreth shfaqjes së këtij virusi, ose ka ardhur nga gjarpërinjtë dhe lakuriqët e natës të cilët përdoren në kuzhinën kineze, ose virusi është prodhuar në laborator.

Megjithatë, pamjet sesi njerëzit vdesin çdo ditë në rrugë, spitale e kudo në hapësira publike ka shokuar mbarë njerëzit në gjithë botën.

Në SHBA, Kanada, Australi dhe Europë konkretisht në Francë dhe Gjermani, gjithashtu janë shënuar viktima.

Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ishte e ftuar një shqiptare e sapokthyer nga Kina, Edona Dogjani. Ajo ka mbërritur në Shqipëri në 19 Janar dhe tregon se në Vienë nuk i është nënshtruar ndonjë kontrolli të rreptë, pavarësisht se vinte nga Kina.

Mirela Milori: Ti ke 10 ditë që ke ardhur nga Shangai? Sa kohë ke që jeton në Shangai?

Edona Dogjani: Unë kam rreth 4 vite që jetoj në Shangai.

Mirela Milori: Punon atje si pedagoge?

Edona Dogjani: Punoj në një shkollë në Shangai, është një shkollë amerikane.

Mirela Milori: Ishe në Kinë kur shpërtheu virusi? Si ishin ato ditën e para kur e mësuat?

Edona Dogjani: Po në zyrë me kolegët, po diskutonim për sa i përket virusit, që ishte shfaqur në Kinë që në Dhjetor. Dhe flisnim nga ka ardhur? Si mund të kujdesemi? Nuk ishim të alarmuar, por kolegët  e punës para se unë të ikja një mbrëmje në aeroport, më thanë vendos dorashka dhe maskë sespe aeroporti normal është vendi ku ti shumë thjesht mund ta marrësh këtë virus. Dhe unë mora masat e duhura, isha me maskë. Zakonisht kinezët vendosin maska kur udhëtojnë, se nuk është vetëm koronavirusi që mund të infektohesh në botë, janë shumë viruse të ndryshme. Unë kam vënë re gjatë gjithë këtyre viteve në Shangai, që populli kinez është shumë i kujdesshëm, prandaj nuk më vjen mirë kur dëgjoj që thonë hanë lakuriq nate. Po është e vërtetë që ata mund t’i hanë këto, nuk e mohoj që ata i kanë ngrënë në këtë qytezë të vogël, ku është ky marketi. Por është brezi shumë i vjetër që mund të hajë këto, brezi i ri nuk bëhet fjalë t’i hajë këto, ata vdesin për ushqimin perëndimor.

Mirela Milori: Ti vetë ke ngrënë nga këto, gjarpërinj, minj, lakuriq nate, të gatuar flas?

Edona Dogjani: Unë kam provuar, jam shumë tip i guximshëm. Duke qenë se unë kur ulem në tavolinë me shtetasin kinez, për mendimin tim është ofendim që ti ke ikur atje, jeton me to, ndan kulturën me ato dhe nuk ha ushqimin që ato të ofrojnë ty.

Mirela Milori: Ti do kthehesh prapë në Shangai?

Edona Dogjani: Po! As bëhet fjalë!

Mirela Milori: S’ke frikë?

Edona Dogjani: Jo s’kam frikë fare.

Mirela Milori: Kontakti ishte Kinë-Vienë dhe nga Viena në Tiranë?

Edona Dogjani: Po në Shangai mua më kontrolluan me aparaturën e matjes së temperaturës dhe një aparaturë që ata kanë për prekjen e gishtit. Nuk e di për çfarë e përdorin. Ti e prek atë letrën dhe ata e kontrollojnë më pas, tip alkooli. Pastaj erdha në Vienë, askush nuk më pyeti.

Mirela Milori: Në Vienë nuk të kontrolluan pavarësisht se ti vije nga Kina?

Edona Dogjani: Jo fare. Ishim rreth 500 veta që vinim nga Kina, por në Vienë nuk kishim kontrolle.

Mirela Milori: Vjen nga Viena në Rinas?

Edona Dogjani: Unë kam arritur në datë 19 Janar dhe nuk ishte kjo situata siç është krijuar këtë javë. Unë mendoj se filloi në datë 23 Janar që ishte pika dhe kulmi i diskutimit të koronavirusit. /tvklan.al