Flet xhaxhai i 25-vjeçarit që u vra nga policia: Djali ka qenë i sëmurë. Nuk ka pasur armë me vete



Flet xhaxhai i 25-vjeçarit që u vra nga policia: Djali ka qenë i sëmurë. Nuk ka pasur armë me vete

10:09 08/12/2020

Xhaxhai i Klodjan Rashës, 25-vjeçarit i cili u qëllua për vdekje gjatë natës nga policia në Tiranë, pasi nuk iu përgjigj urdhrit për të ndaluar, duke folur për gazetarët mohoi që nipi i tij të ketë qenë i armatosur.

Hasan Rasha tha se 25-vjeçari ka qenë i sëmurë dhe për këtë është kuruar me ilaçe dhe ka qenë edhe i shtruar.

Ai shprehet se viktima është djali i një ish-oficeri dhe kërkon që kjo ngjarje të zbardhet deri në fund.

“Klodi është një djalë ish-oficer. Kam dëgjuar që thonë se ka pas armë. Kjo është e pavërtetë. Ai ka qenë i sëmurë. Është kuruar me ilaçe për nerva dhe herë të tjera ka qenë i shtruar për këtë punë. Ai nuk ka pasur armë, gjatë ditës ka punuar me babën e vet. Më vonë është ndjerë i lodhur, është shtrirë në krevat dhe ka dalë në orën 2 të natës, a më parë me pi kafe. Kur ka njoftuar policia vëllain se djali është arrestuar nga policia dhe ky ka shkuar se është arrestuar djali. E kanë marrë e kanë çuar në drejtori dhe pastaj kanë thënë se djali ka bërë aksident me policinë. Më vonë kanë thënë se ka vdekur. Djali ka dalë me pirë kafe ka pasur dy kokrra hurma në dorë i ka lënë në ballkon, ka dalë me pi kafe tani na kanë thënë që ka vdekur. Përpara ka qenë i sëmurë, por gjatë ditës ka qenë duke punuar. Baba i vet ka qenë duke fjet. Ai ka shkuar se më ka kapur djalin policia. Edhe në emër të vëllai ju jeni të gjithë të nderuar që vini këtu për ta zbardh kërkojmë që kjo të zbardhet deri në fund. Ka pasur dy kokrra hurma në dorë i ka lënë në ballkon. Ju jap një garanci vëllai më ka thënë se djali nuk ka pasur asgjë me vete se nuk ka armë në shtëpi. Besimin e kemi dhe nga ju dhe nga shtetit. Apelin policisë prej nesh është që këtë punë ta zbardhë deri në fund sido që të jetë puna”, tha xhaxhi i tij.

Në foto viktima, Klodian Rasha

Ishte ora 01:45, kur Klodian Rasha u dallua nga efektivët e policisë në afërsi të Laprakës. Atij iu kërkua të ndalonte, por Rasha refuzoi dhe i drejtoi policisë një send, në dukje armë. Kjo bëri që një prej efektivëve të policisë të hapte zjarr ndaj të riut duke e lënë fillimisht të plagosur. Rasha u dërgua në spital, ku dhe ndërroi jetë.

Në një informacion gjatë orëve të mëngjesit të kësaj të marte, Policia e Tiranës tha se në vendin e ngjarjes kishte gjetur një pistoletë me krehër e fishekë, që dyshohet se i përkiste viktimës./tvklan.al






Të ngjashme