Ky aksident i fiksuar nga një kamera sigurie ndodhi vetëm pak ditë më parë në Autostradën Tiranë-Durrës në vendin e quajtur Mbikalimi i Fllakës.

Shkak është bërë kjo hyrje e paligjshme në autostradë ku shpejtësia e automjeteve shkon deri në 90 km në orë.

Por ky nuk është aksidenti i vetëm i ndodhur në këtë vend. Ky rrethrrotullim është konsideruar zyrtarisht nga policia e shtetit që një vit më parë si një njollë e rrezikshme në aksin Tiranë – Durrës. Me anë të një letre drejtuar ARRSH-së dhe bashkisë së Durrësit policia kërkonte ndërhyrje të menjëhershme.

“Tek mbikalimi i Fllakës në sensin e lëvizjes Durrës – Tiranë dhe anasjelltas si në hyrje dhe në dalje të autostradës, mungojnë të gjithë elementët e një rruge hyrëse apo dalje, pa sinjalistikë, pa ndriçim, duke detyruar drejtuesit e mjeteve  që të bëjnë ndalim të plote për të hyrë në drejtim të Fllakës ose në drejtim tjetër dhe për pasojë duke u bere një rrezik i madh për aksidente”.

Edhe pse ka kaluar tashmë një vit nga ky shqetësim i ngritur nga Policia Rrugore e Durrësit, situata mbetet sërish e njëjtë. Autoritetet përgjegjëse nuk kanë reaguar për të bërë mbylljen e kësaj hyrjeje të  paligjshme në autostradë apo dhe krijimin e kushteve për ta bërë të ligjshme.

Dikur në këtë zonë u vendosën disa parmakë metalike duke e bllokuar hyrjen dhe daljen e automjeteve ne këtë pike, por ato u hoqën nga persona të paidentifikuar. Edhe disa blloqe betoni u hodhën në ferra. Derisa situata të ndryshojë dhe autoritet të marrin përgjegjësinë për garantimin e sigurisë, mijëra udhëtarë që përdorin autostradën Tiranë-Durrës, duhet të marrin parasysh se mund të përfundojnë edhe në këtë mënyrë.

Tv Klan