I kërkoi 70 mijë Euro biznesmenit, u prezantua si kreu i një bashkie në vend
Florian Gjergji i rikthehet aktivtetit të mashtrimit të biznesmenëve shqiptar. Edhe pse dyshohet se është në Gjermani, ai arrin të organizojë planet e tij, por së fundmi, nuk mundi ta realizojë. Ai bashkë me 5 persona të tjerë tentuan t’i marrin biznesmenit shkodran me iniciale A.G shumën prej 70 mijë Eurosh. Nëpërmjet aplikacioneve të komunikimit, ai iu prezantua biznesmenit si kreu i një bashkie të madhe në vend duke i kërkuar shumën e parave.
Pas denoncimit policia organizoi planin e arrestimit në bashkëpunim me biznesmenin. Takimi për dorëzimin e parave ishte lënë te kthesa e Kamzës. I pari që u arrestua është Petro Ferzaj nga Vlora, i cili mori paratë biznesmenit.
Nga kontrolli i celularit, policia mësoi se paratë do të ndaheshin edhe me tre persona të tjerë në Elbasan. Shërbimet e komisariatit nr.6 në Tiranë, bashkë me 51-vjeçarin Ferzaj të arrestuar, u nisën për të bërë dorëzimin e kontrolluar të parave. Xhonatan Xhaferri, Leonard Xhika, Mikel Panxhi, banues në Elbasan, iu vunë prangat në vendin e takimit.
Për këtë rast, në kërkim u shpall Xhensil Qafa dhe Florian Gjergji. Ky i fundit është drejtuesi i grupit. Prej muajit Janar është tentuar të zbatohet kjo skemë mashtrimi në 7 raste, ku shuma totale arrin në mbi 500 mije Euro.
40-vjeçari përdor aplikacionet “Telegram” dhe “Signal”, ku u prezantohet biznesmenëve, kryesisht të fushës së ndërtimit, si, kryebashkiakë, ministra, apo edhe drejtues të institucioneve shtetërore.
Ai dyshohet se fshihet në Gjermani dhe është në kërkim që prej Janarit të këtij viti. Kjo pasi në mesazhet që u dërgon bashkëpunëtorëve, u kërkon që paratë t’i dërgojnë në Gjermani. Policia nuk përjashton që Gjergji të ketë patur sukses në raste të tjera të mashtrimit të biznesmenëve.
RASTET E MASHTRIMIT TË BIZNESMENEVE
7 Janar – Operacioni “Signal”, tre të arrestuar, shuma 130.000 Euro
10 Janar – Operacioni “Subjekti”, tre të arrestuar, shuma 13.000 Euro
13 Shkurt – Operacioni “Tentativa”, tre të arrestuar, shuma 90.000 Euro
6 Maj – Operacioni “Telegram”, dy të arrestuar, shuma 100.000 Euro
16 Maj – Operacioni “Arkitekti”, një i arrestuar, shuma 70.000 Euro
4 Gusht – Operacioni “Replay”, tre të arrestuar, shuma 35.000 Euro
29 Shtator – Operacioni “Fraud”, katër të arrestuar, shuma 70.000 Euro
Klan News