Floriana

Është autore e një prej emisioneve më të ndjekura në vend, “Jo vetëm modë”, prezantuese e shumë spektakleve të ndryshme dhe çdo ditë në “ABC News” na tregon nëse duhet ta marrim çadrën me vete apo jo, teksa na informon mbi parashikimin e motit. Po flasim për Floriana Garon, bukuroshen e “Tv Klan” e cila në pak vite është kthyer në një nga fytyrat më të dashura të ekraneve tona.

Në këtë intervistë për www.tvklan.al ajo tregon se nuk u mjaftua kurrë më të qënurit vetëm një vajzë e bukur dhe e përkëdhelur nga fati, por çdo ditë po punon me profesionalizëm për të shkruar edhe ajo emrin e saj në botën e televizionit.

Është gati për të luajtur në një film, ku do të dëshironte të ishte protagoniste. Mbase një ditë do ta braktisë ekranin për politikën, por kjo është akoma shpejt, pasi ka shumë për të dhënë në media. Biznesi e ka kuptuar se një figurë si ajo shet shumë dhe tashmë, Garo ka përcjellë më zë dhe figurë disa reklama prestigjoze.

Jashtë kamerave ajo nuk ndryshon shumë. Simpatike dhe e veshur me stil. Kohën e ka shumë të limituar teksa e shikon duke nxituar në korridoret e Tv Klan për të parë produksionin për takimin e radhës me “Jo vetëm modë”.

Fama juaj televizive erdhi menjëherë pas “Miss World 2012”. Ishte rastësi apo ëndërr që u bë realitet? Në fakt unë isha përfshirë në fushën e televizionit që në 2011 si prezantuesja e motit në ABC News. Kisha bërë edhe disa spote televizive për Eagle Mobile, Cortefiel, etj. Por pas “Miss World” gjithçka u shumëfishua dhe u bëra shumë më e njohur. Ishte një endërr që u bë realitet. Asgjë rastësore, por gjithçka që kam dashur të bëhej në vendin e duhur, në momentin e duhur.

Keni menduar që t’i riktheheni sërish pasarelave? Unë nuk kam qenë kurrë modele pasarelash. Trupi im ka qenë me më shumë forma seç e kërkon pasarela, kështu që jam mjaftuar të punoj si fotomodele në të shkuarën dhe se fundmi si imazh i kompanive të njohura. Në pasarelë kam sfiluar vetëm për Geraldina Sposa më shumë për pasion, sesa si një modele e mirëfilltë.

A jeni e fiksuar pas dietave dhe paslestrës, pasi trupi juaj është shumë në formë? Faleminderit. Asnjëherë aq në formë sa mund të ishte! Kam hequr dorë nga dietat shumë vite më parë kur kuptova se nuk funksionin për mua. Ndihesha vazhdimisht e uritur dhe kjo më bënte me humor të keq dhe të palumtur. Tani ha pa e tepruar dhe asnjëherë në darkë vonë. Nëse ha shumë një ditë, ditën tjetër ha fare pak për ta kompensuar. Me palestrën nuk jam e rregullt për shkak të axhendes së ngjeshur, por kur gjej kohë ushtrohem me një instruktore tek një palestër e njohur.

Keni dëshirë t’ju thërrasin Floriana e “Jo vetëm Mode” apo Floriana e Motit? Floriana e “Jo vetëm modë”, pasi unë jam autorja e emisionit krahas të qenit gazetarja & prezantuesja. Temat e emisionit kanë të bëjnë me shijet e mia dhe me personifikojnë më mirë.

Do të donit të kishit një linjë tuajën me veshje intime? Jo, kjo s’më ka shkuar ndonjëherë nepër mend. Një linjë veshjesh serioze mbase, por me siguri jo intime.

Cili është inspirimi juaj në botën e modës? Supermodelja Gisele Bundchen. Jo me tipare perfekte, por një grua e fortë, sexy, dhe nje business woman e mirëfilltë.

Në garderobën tuaj gjejmë më shumë veshje firmato apo edhe veshje të thjeshta? Ka një miks veshjesh firmato dhe veshjesh të thjeshta. Unë nuk e blej diçka për shkak të emrit të markës, por sepse vlerësoj cilësinë dhe qepjen. Kombinimet e veshjeve të thjeshta dhe firmato për të krijuar një look të plotë janë interesante. Mua më pëlqen të kombinoj një fustan ose një palë xhinse të thjeshta me këpuce të shtrenjta ose me një xhaketë shumë cilësore.

Sa e fiksuar jeni pas markava ndërkombëtare? Më pëlqejnë, por nuk jam e fiksuar! Jam e tërhequr nga e bukura dhe i shoh me vëmendje detajet e koleksioneve të stilisteve të njohur; Chanel, Marchesa, Valentino, Elie Saab, Roberto Cavalli janë disa nga të preferuarit e mi.

Keni realizuar disa reklama. A kushton imazhi i Floriana Garos? Kushton natyrisht. Sa më shumë dikush investon për veten dhe sa më i njohur bëhet, aq më shumë kushton edhe imazhi. Megjithatë, unë jam e kujdesshme që ta lidh imazhin tim me kompani që e komplimentojnë atë dhe i përshtaten natyrës time dhe shijeve të mija.

Keni menduar ndonjëherë të kontriboni për bamirësi? Kam kontribuar në disa raste. Si në rastin e organizates OSAAB për foshnjet e braktisura ose për fëmijët me Leucemi të cilët i mbështet vazhdimisht Zonja e Parë nëpërmjet eventeve bamirëse që organizon. Unë i vlerësoj shumë iniciativa të tilla dhe i pasqyroj herë pas here tek “Jo vetëm mode” në mënyrë që të sensibilizoj ndjekësit e mi. Kam dëshirë të përfshihem edhe më shumë në të ardhmen në projekte bamirëse dhe të jap kontributin tim për ata që nuk kanë patur mundësitë dhe fatin tim në jetë.

Si mund të përshkruhet marrëdhënia juaj me Tedin? E qëndrueshme dhe e fortë. Para pak ditësh ne festuam 5 vjetorin e njohjes.

Kur keni vendosur të martoheni? Nuk e di e sata herë është që më bëhet kjo pyetje. S’kemi vendosur gjë, sepse është si te jemi të martuar pasi jetojmë bashkë. Mendoj se martesen do ta konsiderojmë kur të jemi gati të bëjmë fëmijë.

Nëse do të ishte e nevojshme do ta adoptonit një fëmijë për t’i dhënë një jetë më të mirë? Unë po. Me gjithë zemër! Por natyrisht dua të bëj edhe fëmijë vetë.

A e keni menduar ndonjëherë të luani në një film? Në fakt është një nga ëndrrat e mia në sirtar. Thjesht nuk ka ardhur rasti. Do doja të merrja pjesë në një film që përcjell një mesazh të fortë e ku unë jam vetë protagoniste.

Do të hiqnit dorë nga ekrani për politikën? Mbase. Por jo në këtë moment.

Cilat janë pasionet tuaja të fshehta? Unë jam njeri publik dhe nuk mendoj se kam pasione të fshehta, por më pelqejnë aventurat. Hedhja me parashutë nga 4100m vjet në verë ishte një prej tyre dhe besoj se këtë vit do provoj diçka të ngjashme.

Intervistoi: Vilma Kërçiku