Floriana Garo tregon si u njoh me bashkëshortin, takimin e parë dhe propozimin (Video)

Floriana Garo tregon si u njoh me bashkëshortin, takimin e parë dhe propozimin (Video)

20:15 06/06/2019

Ish-moderatorja e “Jo vetëm modë”, Floriana Garo ka folur sot për jetën e saj në Zvicër, për bashkëshortin dhe vajzën Adia. E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Floriana tha se ishte hera e parë për të që tregonte se si është njohur me partnerin saj.

“Nuk kam folur ndonjëherë për këtë. Me bashkëshortin jam njohur virtualisht, në një platformë që nuk para përdoret shumë nga njerëzit, në “Linkedin”. Unë u futa në “Linkedin” për të parë diçka të një shoqes time sepse nuk e përdorja dhe pashë një mesazh që më pëlqeu shumë, m’u duk i artikuluar mirë sepse ishte dërguar nga një djalë shqiptar që jetonte në Gjenevë. Më bëri përshtypje shqipja e tij, e pëlqeva dhe i ktheva përgjigje. Vazhduam një komunikim të tillë që zgjati shumë kohë, derisa vendosëm të takoheshim”, tha Garo.

Ajo gjithashtu tregoi edhe takimin e tyre të parë, të cilin e kanë bërë në Itali për shkak se në vendet ku ata jetonin ishin të njohur. Siç tregon moderatorja, momenti i propozimit ka qenë i papritur për të, por njëkohësisht edhe lumturi e madhe.

“Takimi ynë i parë u bë në Itali. Vendosëm një vend neutral sepse në Shqipëri mua më njihnin dhe në Zvicër atë e njihnin. Nuk e dinim si do të shkonte. Sigurisht që ne u nisëm për diçka serioze, por jeta na ka treguar se asnjëherë nuk i dihet. Unë e kam mbajtur private lidhjen për një kohë të gjatë derisa jemi fejuar. Ka qenë më mirë kështu, e kam ndjerë sepse e kam shijuar tamam marrëdhënien time pa pasur njerëzit pas që diskutojnë dhe analizojnë. Ashtu si ai, edhe unë kisha një karrierë të ngritur. Nuk ishte e drejtë që vetëm unë ta merrja këtë vendim, por ai tha se nëse do të ishte e nevojshme edhe ai do të vinte në Shqipëri dhe të bënte diçka këtu. Por e pamë si mundësi, nuk funksionoi dhe vendosëm të shkonim në Gjenevë. Do kishte qenë e vështirë edhe për mua të menaxhoja edhe jetën publike edhe të qenit nënë. Vendosa t’i jap kohë vetes, të nisja një jetë të re atje në privatësinë time. Unë kam dashur të jem personazh publik dhe të bëja atë emision që kam bërë, por kisha harruar çdo të thoshte të ishe vetëvetja, të dalësh në rrugë dhe mos të të njohin.

Ka shqiptarë të Kosovës atje që vijnë dhe më flasin dhe më duket çudi sepse përgjithësisht nuk ndodh. Kam fituar një farë lirie. Faza e mëmësisë ka komplekset e veta të peshës apo të tjera dhe ndonjëherë them më mirë që jam atje dhe nuk më shohin dhe nuk më gjykojnë. Po të isha në Shqipëri nuk do t’i shpëtoja dot. Ne jemi fejuar në Islandë, aty kam marrë propozimin shumë papritur, ishte lumturi shumë e madhe. Bëmë një ceremoni në Shqipëri, nuk kemi bërë dasmë, por jemi martuar në bashki dhe kemi bërë një festë intime me miq, por nuk e kam quajtur dasmë. E kemi në plan një dasmë që është shtyrë gjithmonë dhe ndonjëherë Enisi më thotë: “Më vjen keq që nuk e bëmë”. Më pas martesa u bekua me Adian”, tregoi moderatorja.

Gjatë emisionit, Floriana foli edhe për shtatzëninë me Adian dhe emocionet e mëmësisë. Ajo tregoi se shtatzënia për të ka qenë shumë e bukur, por lindja e vështirë.

“Shtatzënia me Adian ka qenë shumë e bukur, por lindja ka qenë e vështirë. Kam lindur me operacion dhe ishte më e komplikuar nga sa ne e kishim menduar. Kur ka ardhur Adia në jetë ka qenë një lumturi e jashtëzakonshme. Jemi emocionuar shumë, kemi qarë kur ka ardhur sepse vërtetë mendonim se mund të ishte ndryshe, por Adia është mirë, është rritur. Adia është krejt si Enisi, i ngjan babit. Unë do kisha dashur që edhe nga unë të merrte, por ajo i ngjan atij. Është bukuroshe që bëhet gjithnjë dhe më e mirë. Ardhja në jetë e Adias më ka ndryshuar jetën, por fillimi ka qenë i vështirë”, shtoi ajo. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT