Florida ka shpallur gjendjen e emergjencës pas katastrofës ekologjike që ka goditur brigjet juglindore. Pamje të tilla me gjallesa detare të ngordhura që dalin në brigje janë bërë të zakonshme prej më shumë se tre muajsh. Një lloj alge helmuese ka pushtuar një pjesë të madhe përgjatë ujërave bregdetarë të Gjirit të Meksikës, duke shkaktuar ngordhjen e mijëra peshqëve, breshkave madje edhe të specieve të rralla si peshkaqenët e mëdhenj të bardhë.

Fenomeni është quajtur “Vala e Kuqe” për shkak të ngjyrës që ka marrë bregdeti, një fenomen natyror që është përhapur në 150 kilometra vijë bregdetare prej Tetorit të vitit të kaluar. Dukuria po shndërrohet në shqetësim serioz edhe për banorët e zonave pranë bregdetit, të cilët po shfaqin probleme shëndetsore, ku përveç aromave të rënda të dekompozimit të gjallesave të ngordhura, kanë irritime në sy e hundë.

Në kuadër të gjendjes së emergjencës, autoritetet kanë akorduar 1.5 milionë Dollarë fonde për pastrimin e bregdetit. Deri më tani, janë hequr rreth 100 tonë gjallesa detare të ngordhura, ndërsa autoritetet janë të shqetësuar edhe për ndikimin negativ në turizëm.

Tv Klan