Shqiptarët kthehen pas pushimeve, radhë në kufi
Kthimi i emigrantëve në Greqi nga pika doganore e Kapshticës po shoqërohet me fluks dhe radhë të gjata mjetesh.
Dhjetëra udhetarë kanë pritur në radhë për të kaluar në anën tjetër të kufirit, për shkak të procedurave të zgjatura nga pala greke.
Pritja ka shqetësuar qytetarët të cilët shprehen të irrituar.
“Nuk ka logjikë fare, rrimë të presim tani këtu 20 orë për të kaluar doganën. Nuk është e vetmja herë kjo, ka 20 e ca vjet që ndodh e njëjta gjë.”
Por ka nga ata që në këtë periudhë e quajnë si normale vonesën për shkak të fluksit.
“Është normale se po punojnë shumë mirë dogana shqiptare.”
“Për ditën e sotme normale se ka fluks!”
Për të menaxhuar situatën pala shqiptare po punon me 5 sportele në dalje ndërsa policia kufitare greke ka hapur vetëm 2 sportele në hyrje, çfarë krijon vonesa në procedura.
Gjatë 24 orëve të fundit mbi 5 800 emigrantë kanë dalë nga pika doganore e Kapshticës dhe 4 100 persona kanë hyrë në territorin tonë.
Fluks të madh hyrje daljesh ka patur edhe në doganën e Kakavijës.
Sipas të dhënave zyrtare në 24 orët e fundit kanë hyrë dhe kanë dalë rreth 11 e 300 persona me rreth 3300 mjete.
Tv Klan