Radhë të gjata në pikat e kalimit kufitar

Në vendkalimin kufitar në Tabanovcë, që nga mëngjesi janë vërejtur kolona automjetesh, kurse gjatë mëngjesit për dalje nga vendi, siç njoftohet është pritur deri në 40 minuta. Shkaku për këtë tollovi në vendkalimin kufitar Tabanovcë, është numri i madh i qytetarëve nga RMV-ja, të cilët nga dje udhëtojnë në Serbi, ku gjatë fundjavës kanë caktuar termine për t`u vaksinuar.

Lidhur me këtë, Oda e Pavarur e Hotelierëve, përmes një komunikate drejtuar mediave, ka njoftuar se në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Serbisë, për të gjithë hotelierët e RMV-së, duke llogaritur muzikantë, janë apo nuk janë anëtarë të kësaj ode, ka siguruar vaksina falas në Nish, sot dhe nesër nga ora 08:00 deri ora 20:00. Vaksinimi do të jetë në Qendrën Sportive në Nish.

Ndryshe, këtë fundjavë shtetas të RMV-së, masivisht janë duke e praktikuar të ashtuquajturin “vaksina-turizëm” në Serbinë fqinje. Nga informacionet e mediave të vendit dhe ato të Serbisë, por edhe në bazë të njoftimeve në Facebook, sic transmeton Klan Macedonia, merret vesh se një numër i madh i qytetarëve të RMV-së, presin radhë vaksinimi në Panairin e Beogradit sipas termineve që i kanë marrë përmes regjistrimeve individuale, por gjithashtu edhe linja autobusi me biznesmenë të vendit janë në Beograd dhe Nish, ku presin të vaksinohen.

Kolonat e sotme drejt Serbisë, më së miri e tregojnë paaftësinë e Qeverisë së Zoran Zaevit. Kjo tregon se sa populli i beson autoriteteve që për nesër kanë paralajmëruar vaksina. Në këtë mënyrë, përmes Facebookut, e ka komentuar lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, fluksin e madh të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, që sot ishin nisur për t`u vaksinuar në Serbi.

“Maqedonia po i jeton vitet më të vështira që nga vitet e 90-ta. Kemi arritur në atë pikë që populli vet të gjendet dhe të luftojë për jetën, kur tashmë këtë nuk e bën Qeveria. Një mesazh për Qeverinë; shiheni popullin tuaj, shihni kolonat e automjeteve – ky është turpi juaj. Kjo nuk do të harrohet, përgjegjësi do të ketë”

“Akulli u thye” nga Asociacioni maqedonas i gazetarëve, të cilët, javën e kaluar dërguan gazetarë për t`u vaksinuar në Serbi.

Klan Macedonia