“112 nuk është Salla Emergjente për sqarim pyetjesh

Një fluks i pazakontë telefonatash në numrin unik 112 përgjatë 24 orëve të fundit ka bërë që shumë qytetarë ta kenë të pamundur që të kontaktojnë në këtë numër. Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit bën apel për racionim të telefonatave tek 112, në mënyrë që ata që vërtetë kanë nevojë për ndihmë të kenë mundësi ta marrin atë.

“Policia e Shtetit në 24 orët e fundit ka pritur një fluks të pazakontë telefonatash në numrin unik 112, duke iu ofruar ndihmë mijëra qytetarëve. Në shumë momente kohore, sidomos sot, ka patur raportime për pamundësi të arritjes së numrit unik 112. Duke kërkuar mirëkuptimin e çdo qytetari dhe ndihmën e tij, apelojmë të racionohen thirrjet telefonike drejt 112, duke u lënë mundësinë të marrin shërbim atyre që kanë më tepër nevojë për ndihmë”. thotë policia në një njoftim për mediat.

Autoritetet theksojnë se “Kjo nuk është koha që për çdo pyetje informuese të telefonohet 112, të tilla si pamundësia e lëvizjes me mjet, me këmbë etj.  112 nuk është Salla Emergjente për sqarim pyetjesh, por për marrje denoncimesh apo shqetësimesh. Kjo merr një tjetër rëndësi specifike në këto momente. Kufizimi dhe ndalimi i qarkullimit është një sakrificë që i ndihmon parandalimit të përhapjes së COVID-19 dhe kapërcimit sa më lehtë e shpejtë të kësaj situate”. /tvklan.al