Këtë të shtunë në Portin e Durrësit është regjistruar fluksi më i lartë i automjeteve dhe pasagjerëve që hyjnë në vendin tonë për pushimet verore.

Përgjatë ditës zbarkuan mbi 7 mijë pasagjerë e 3 mijë e 100 automjete, që mbërritën me 5 tragete. Fluksi në rritje krijoi radhë dhe pritje gjatë përpunimit të të dhënave në pikat e kontrollit kufitar, ndërsa policia punoi me kapacitet të plotë, me 32 sportele.

Pavarësisht kësaj, pasagjerët thonë se udhëtimi u shkoi mirë dhe se kanë  ardhur këtu për pushimet verore. Mes tyre ka edhe të huaj, të cilët zgjedhin vendin tonë për pushime.

Krahas trageteve në port ka mbërritur edhe kroçiera “MS Sirena”, me 694 pasagjerë nga 29 vende të ndryshme të botës në bordin e saj. Turistët do të vizitojnë sitet historike të qytetit bregdetar të Durrësit si dhe qytetet Krujë e Tiranë.

Edhe të dielën në port pritet të mbërrijnë po aq pasagjerë, ndërsa përgjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në vendin tonë mbi 13 mijë shtetas me 9 tragete.

Klan News