Fluturimet në Aeroportin e Vlorës nisin në vitin 2023

Fluturimet në Aeroportin e Vlorës nisin në vitin 2023

15:46 20/12/2019

Qeveria garanton minimum të ardhurash për koncesionarin

Agjencia e Prokurimit Publik ka hapur zyrtarisht garën për të përzgjedhur kompaninë fituese, e cila do të ndërtojë e do të marrë për 35 vjet operimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Punimet pritet të nisin më 31 Maj, për të përfunduar pas dy vjetësh, në Shtator të vitit 2022, ndërsa aeroporti do të jetë i operueshëm në vitin 2023, pasi të jenë bërë certifikimet dhe testimet e tij.

Kriteri, i cili do të përcaktojë fituesin në këtë garë mbështetet te eksperienca në punime të ngjashme në fushën aeroportuale, afati i kryerjes së punimeve dhe modeli financiar që do t’i propozohet qeverisë.

Thirrja përcakton qartë se fondet me të cilat do të ndërtohet pista janë të kompanisë private, e cila më pas do të gjenerojë të ardhura përmes tarifimit të linjave të fluturimit.

I vetmi lëshim që bëhet është ajo e garantimit të të ardhurave minimale për 10 vitet e para të operimit. Kështu nëse të ardhurat e kompanisë fituese vitin e parë do të jenë nën kufirin 9.6 milionë euro, diferenca do të mbulohet nga buxheti, e në rastin që do të jenë mbi 11 milionë euro, çdo para që mblidhet më shumë do të ndahet përgjysmë me shtetin.

Në bazë të studimit të bërë, në vitin e parë që pritet të nisin fluturimet, fluksi i pasagjerëve parashikohet të jetë afro 460 mijë, për të arritur në 1.3 milionë pas 20 vjetësh.

Fillimisht ishin turqit që shprehën interes për të marrë koncesionin e këtij aeroporti, por pas tërheqjes se tyre, Ministria e Infrastrukturës vendosi të hapë garë ndërkombëtare.

Tv Klan



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi