Fluturimi pa destinacion shitet brenda 10 minutave



Fluturimi pa destinacion shitet brenda 10 minutave

22:50 19/09/2020

Përpara pandemisë shumë prej nesh i shihnin fluturimet thjesht si një mënyrë për të shkuar nga një destinacion në tjetrin, sa më shpejt të ishte e mundur. Por në mesin e kufizimeve globale, udhëtarët po ëndërrojnë jo vetëm për destinacione të largëta me avion, por vetë eksperiencën e fluturimit, nga emocioni i ngritjes, tek pamjet mahnitëse nga dritarja e avionit.

Pikërisht në këtë pikë hyjnë në lojë “fluturimet drejt asgjëje”, udhëtime me avion që kanë për qëllim vetëm udhëtimin në vetvete e jo destinacionin. Kohët e fundit, këto janë kthyer në një fenomen tejet i preferuar. Ndaj një fluturim pa destinacion i ofruar nga Qantas, u shit brenda 10 minutave. Sipas asaj që shkruan CNN, duket se njerëzit mezi presin që të ngjiten në qiell, në një kohë kur Australia ka ndaluar thuajse të gjitha udhëtimet ndërkombëtare.

Kjo është me gjasë shitja më e shpejtë në historinë e Qantas”, tha drejtuesi i kompanisë në një deklaratë.

Është e qartë që njerëzve u mungojnë udhëtimet dhe eksperienca e fluturimit. Nëse do të ketë kërkesa, padyshim që do të shohim mundësinë për të realizuar më shumë fluturime panoramike, ndërkohë që presim që të hapen të gjithë kufijtë”, shtoi ai.

Fluturimi prej 7 orësh do të performojë një shëtitje nëpër Queensland dhe Gold Coast, New South Wales dhe në vendet më të largëta të Australisë. Nga lart pasagjerët do të mund të shijojnë disa prej atraksioneve më të famshme australiane, përfshirë Sydney Harbor dhe Great Barrier Reef.

Ky fluturim do të bëhet me një avion Qantas Boeing 787 Dreamliner, zakonisht i rezervuar për udhëtime ndërkontinentale. Tani për tani, ka shumë pak fluturime që operojnë nga dhe drejt Australisë për shkak të kufizimeve dhe flota ndërkombëtare e Qantas është stacionuar në tokë.

Dreamliner është i njohur për dritaret e tij të mëdha, duke e bërë atë ideal për të shijuar panoramën nga lartësia. /tvklan.al




Të ngjashme